Aktori Arnold Schwarzenegger është shprehur i shqetësuar për mënyrën se si po rriten fëmijët sot, duke paralajmëruar se mbrojtja e tepërt nga vështirësitë mund të krijojë një brez njerëzish të brishtë dhe të papërgatitur për sfidat e jetës.
Gjatë një interviste në emisionin “The Howard Stern Show”, ish-guvernatori i Kalifornisë theksoi se është e rëndësishme të respektohen ndjenjat e fëmijëve, por kjo nuk duhet të nënkuptojë shmangien e çdo situate të vështirë.
Sipas tij, fëmijët duhet të mësojnë të përballen me dhimbjen, dështimin dhe parehatinë, pasi pikërisht këto përvoja ndihmojnë në ndërtimin e karakterit dhe forcimin e tyre.
Schwarzenegger solli si shembull emigrantët dhe njerëzit punëtorë që kontribuuan në ndërtimin e Amerikës, duke kujtuar se përparimi kërkon disiplinë, përkushtim dhe gatishmëri për t’u përballur me vështirësitë.
Ai u bëri thirrje prindërve që t’i nxisin fëmijët të merren me sport, të studiojnë dhe të mos dorëzohen përballë momenteve të vështira, duke i konsideruar këto përvoja pjesë të rëndësishme të formimit të tyre./ad
