Seanca plenare në Kuvend është shoqëruar me debate mes deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Tabaku kërkoi që projektligji për strehimin të hiqet nga rendi i ditës, duke pretenduar se ai nuk ka qenë pjesë e programit të punës dhe është përfshirë në seancë pa respektuar Rregulloren e Kuvendit.
Gjatë fjalës së saj, deputetja e PD-së kritikoi qeverinë për procesin e rindërtimit, duke e akuzuar se banesat e premtuara për familjet e prekura nga tërmeti po përdoren për qëllime elektorale.
Ajo ngriti gjithashtu akuza për korrupsion dhe keqmenaxhim të fondeve të rindërtimit, ndërsa iu drejtua edhe kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij.
“Doli që banesat e rindërtimit, që duhej të ishin rindërtuar, akoma sot e kësaj dite i përdorin si mall elektoral. A ka fatkeqësi më të madhe që të përdoret korrupsioni e vjedhja aty ku ka pasur humbje jetësh?”, deklaroi Tabaku.
Në përgjigje të saj, Taulant Balla ironizoi deklaratën e deputetes demokrate për tërmetet, duke thënë se e vetmja gjë që opozitës i duket si tërmet është rezultati i zgjedhjeve.
“Unë mendoj që ishte një lapsus nga parafolësja, duke thënë që sa herë ka tërmet. E vetmja gjë që ju duket tërmet është rezultati i zgjedhjeve. Të foli dikush brenda vetes kur parashikove rezultatin e 9 majit”, u shpreh Balla.
Ai theksoi se mazhoranca nuk ka kohë për të humbur me debatet e opozitës dhe kërkoi që deputetët të përqendrohen te diskutimi i Buxhetit dhe Paketës Fiskale.
“Që ne të presim që 10 mijë familje në gjithë Shqipërinë të hyjnë në banesat e tyre dhe të presim nazet e juaja? Nuk ju presim as edhe një minutë. Ju ftojmë sot të diskutojmë ligjin për Buxhetin dhe Paketën Fiskale. Është në nderin tuaj që një herë të vetme të votoni për qytetarët. Votoni uljen e çmimeve të ushqimeve, uljen e karburantit dhe buxhetin e shtetit më të madh në Shqipëri, 10 miliardë euro”, tha Balla./k.m
