Last Updated on 18/11/2026 by EL
Buxheti për drejtësinë në vitin 2027 parashikohet të arrijë në 29,6 miliardë lekë, 1,2% më shumë se këtë vit.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, tha në Kuvend se parashikohet hapja e pesë zyrave të reja për ndihmë juridike falas dhe se synohet që qendra për edukimin dhe rehabilitimin e të miturve të funksionojë me kapacitet të plotë brenda vitit 2027.
“Në progresraport thuhet se Shqipëria ka bërë progres të mirë në funksionimin e shtetit ligjor, vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka përfunduar dhe SPAK-u ka treguar pavarësi dhe rezultate. Kjo është meritë e vetë institucioneve. Sa i përket buxhetit të drejtësisë, që është 29,6 miliardë lekë, 1,2% më shumë se këtë vit, nuk do ta quaja rekord, po brenda kësaj shifre të vogël ka disa zgjedhje të mëdha që dua t’ju prezantoj. Investimet e ministrisë janë ulur se po përfundojnë ato investime që kanë nisur vite më parë dhe gjatë vitit 2027 volumi i investimeve ulet.
Buxheti nuk matet me miliarda, por me atë që ndryshon në jetën e qytetarëve. Sot u fol shumë për koston e jetesës. Ka edhe një kosto të fshehur, që është kostoja e drejtësisë. Është kostoja e atij avokatit që nuk mund ta paguash, janë vitet e pritjes në salla. Këtë adreson. Parashikohet hapja e pesë zyrave të reja të ndihmës juridike falas. Synojmë që në vitin 2027 të vëmë në funksion qendrën për edukimin dhe rehabilitimin e të miturve. Pritja ka qenë e gjatë, por brenda vitit 2027 shërbimet nisin me kapacitet të plotë”, tha Gogu./et
