Last Updated on 18/11/2026 by EL
Një nga zakonet e Ernest Muçit gjatë ndeshjeve të futbollit është mbajtja e një palë dorashkave. Për ata që nuk e dinë, djali është i biri i një doktori në Tiranë. Ndoshta babai ka dashur të trashëgojë punën e tij tek i biri, por nuk ia doli dot. Ernesti kishte një tjetër talent, në futboll.
Kujtimet e fëmijërisë i kanë mbetur thellë në memorie, origjina thërret. Një palë dorashka dhe një specializëm pak më shumë se babai, në kirurgji. Golat nga distanca me prerje dhe saktësi të frikshme, aty ku llogaritet edhe milimetri janë dëshmi e specializimit të Muçit.
Më bëri përshtypje një histori e gazetarit Altin Sulçe rreth Ernest Muçit e thënë në emisionin e tij “Mega Sport”:
“Mbaj mend që pasi Muçi shënoi atë golin e famshëm kundër Partizanit, e mora në emision. U ulëm te kafja dhe po bisedonim. Kur erdhi momenti të ngriheshim, thërriti kamarierin për të paguar tavolinën. I thashë: “Do ta paguash, por në një moment tjetër, jo tani, kur të vesh në ekip të madh, tani i kam unë”.
Kjo nuk është për të treguar sjelljen e gazetarit, që gjithsesi duhet vlerësuar, por as historinë e një kafe në Tiranë që në dukje është e parëndësishme.
Ajo që është e rëndësishme është fakti se në atë moment Ernest Muçi ishte djali i parë i Tiranës dhe mbi të gjitha merrte vetëm 300 mijë lekë në muaj.
Rëndomtë ndodh në Shqipëri që disa lojtarë shumë më pak të njohur e të rëndësishëm se Muçi i atij momenti, të djegin veten dhe të gabojnë në sjellje, në edukatë. Rëndomtë ndodh që lojtarët të tregojnë me prepotencë se kush janë që në moshë të hershme, duke prekur fundin e një rruge pa nisur mirë.
“O vëllai, o zemra, e pe çfarë bëra?”! Por jo, Muçi ishte një gatim tjetër, djali i një doktori dhe me arsim të lartë në sjellje. Pasi mbaron operacionin, me një ndërhyrje kirurgjikale nga distanca, ashtu tërësisht i ftohtë dhe pa asnjë emocion të vetëm kur të gjithë janë me duart në kokë nga mrekullia e tij, heq dorashkat dhe bëhet gati…për një tjetër ndërhyrje.
Ne pyesim ende veten se çfarë bëri, por për të është një tjetër ditë punë e zakonshme dhe e lodhshme. Por mbi të gjitha, dëshmia se edukata është në veshje që nuk del kurrë nga moda. /et
