Jennifer Lopez ka tërhequr sërish vëmendjen me një zgjedhje të guximshme në modë, duke dëshmuar se temperaturat e ulëta nuk e pengojnë të eksperimentojë me stilin e saj.
Këngëtarja 57-vjeçare u shfaq të martën në mëngjes në emisionin “Front Row” të SiriusXM në New York, e veshur me një kombinim tërësisht transparent nga koleksioni pranverë 2027 i Marc Jacobs.
Lopez kishte zgjedhur një body dhe geta prej najloni transparent, ndërsa poshtë tyre dalloheshin të brendshmet. Pamjen e kompletoi me një xhaketë në nuancë ndryshku, këpucë me taka në po të njëjtën ngjyrë, rripa me zinxhirë dhe një çantë gurkal

Edhe pse moti në New York ishte mjaft i ftohtë, kjo nuk dukej se e shqetësonte aspak këngëtaren. Megjithatë, më vonë ajo u fotografua e mbështjellë me një pallto të zezë, të madhe dhe me teksturë të butë.
Nuk është hera e parë që Jennifer eksperimenton me veshje që vënë në pah linjat e saj. Në daljet skenike, ajo shpesh zgjedh kostume trupore të ngushta dhe të zbukuruara, të kombinuara me geta. Madje, vjeshtën e kaluar, këngëtarja përjetoi edhe një incident me garderobën gjatë një performance, kur një fund i veshjes së saj u shkëput në mes të këngës. Pa u ndalur, ajo vijoi performancën me vetëm të brendshmet e mbetura.
Aktualisht, Lopez po promovon spektaklin e saj “The JLO Show: Live in Las Vegas”. Gjatë një bisede të zhvilluar në 92nd Street Y gjatë fundjavës, ajo nuk i shpëtoi as batutave për jetën e saj sentimentale.
Duke iu referuar faktit se ka ecur katër herë drejt altarit, Jennifer bëri shaka me publikun. Kur një prej të pranishmëve i tha se i kishin mbetur edhe gjashtë gishta, duke iu referuar dhjetë gishtave të duarve, këngëtarja shpërtheu në të qeshura.
“Po, i kam! Po, i kam! O Zot, kjo është gjëja më qesharake që kam dëgjuar ndonjëherë në jetën time”, u përgjigj ajo, duke e pritur me sportivitet komentin.
Jennifer Lopez duket se vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, si për zgjedhjet e saj të guximshme në modë, ashtu edhe për batutat që bën rreth jetës së saj personale./mxh
