Last Updated on 18/11/2026 by EL
Deputetja e Partisë Socialiste, Zamira Sinaj, në një lidhje direkte për emisionin “Off the Record”, ka komentuar projektbuxhetin, duke e cilësuar atë si një ndër buxhetet historike për Shqipërinë.
Sinaj deklaroi se 10 miliardë euro kanë në fokus kauzat sociale dhe familjet në nevojë. Sipas saj, buxheti synon të lehtësojë barrën ekonomike për kategori të ndryshme të shoqërisë, përfshirë pensionistët, studentët, profesionistët e lirë dhe nënat.
Gjatë intervistës, deputetja socialiste u ndal edhe te ndryshimet në TVSH, duke deklaruar se është parashikuar ulja e saj për 54 produkte të shportës bazë.
“Ky është një ndër buxhetet historike për Shqipërinë, pasi e gjithë kjo shumë do të shkojë për mbrojtje sociale. Është një shumë që do të vihet më së shumti në dispozicion për ato familje që kanë nevojë, pra do të jetë një lehtësi për to”, u shpreh Sinaj.
Sa i përket çmimeve të produkteve të shportës, ajo tha se ulja e TVSH-së do të prekë 54 produkte bazë.
“Kemi një ulje të TVSH-së për produktet e shportës bazë, dhe janë 54 produkte. Këtë ulje e kompensojmë me rritjen me një pikë të TVSH-së për produktet e tjera, ku shkon në 21 për qind, ndërkohë që kemi ulur me 14 pikë produktet e shportës bazë, rreth 54 produkte”, deklaroi deputetja. /et
