Regjisori i njohur Christopher Nolan ka bërë një koment plot humor për Robert Pattinson, aktorin që sapo është konfirmuar si James Bond-i i ri. Ai e cilësoi atë si “Bond-in më frikacak që keni parë ndonjëherë”, duke iu referuar mënyrës se si aktori u përfshi në skenat e aksionit të filmit të tij “The Odyssey”.
Deklaratën Nolan e bëri të martën në West Hollywood, gjatë një bisede me regjisorin Steven Spielberg, pas një shfaqjeje të filmit për anëtarët e Shoqatës së Regjisorëve Amerikanë, raporton revista People. Nolan dhe Pattinson kanë bashkëpunuar më parë edhe në filmin “Tenet”.
Gjatë diskutimit, Spielberg vlerësoi punën e koordinatorit të skenave të aksionit, George Cottle, veçanërisht për përballjen përfundimtare, ku personazhi i Pattinson, fisniku Antinous, vritet nga Odiseu, i interpretuar nga Matt Damon. Në këtë moment, Nolan ndërhyri me batutën se Pattinson është “James Bond-i më frikacak që keni parë ndonjëherë”.
Robert Pattinson u prezantua të hënën si interpretuesi i ri i agjentit 007, duke marrë kështu stafetën nga Daniel Craig, i cili e luajti për herë të fundit këtë personazh në filmin “No Time to Die”, në vitin 2021. Pattinson do të jetë aktori i shtatë që merr përsipër rolin ikonik. Filmi i ardhshëm do të drejtohet nga Denis Villeneuve, me të cilin aktori ka bashkëpunuar edhe në “Dune: Part Three”, ndërsa xhirimet pritet të nisin në vitin 2027.
Në një intervistë për revistën “People”, gjatë premierës së “The Odyssey” në Londër, në korrik, Pattinson kishte treguar se i pëlqen të interpretojë personazhe negative.
“Më pëlqen t’ua ul pritshmëritë njerëzve. Kjo është gjithmonë gjëja ime e preferuar. Premto pak, bëj më shumë. Kjo është motoja ime”, ishte shprehur aktori me humor./mxh
