Last Updated on 19/11/2026 by EL
Eurodeputetët paralajmërojnë se Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë qasjen ndaj konkurrencës kineze, duke mos u kufizuar vetëm në marrëveshje tregtare për sektorë të veçantë. Ata kërkojnë lehtësimin e barrës rregullatore për kompanitë evropiane dhe vendosjen e instrumenteve të përgjithshme mbrojtëse për tregtinë.
Sipas një grupi eurodeputetësh nga disa forca politike, BE-ja ka nevojë për një strategji sistematike ndaj Kinës, përtej politikës aktuale që trajton veçmas sektorë të ndryshëm ekonomikë.
Në një letër drejtuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe komisionerit për Tregtinë, Marosh Shefçoviç, eurodeputetët paralajmërojnë se marrëveshje të ngjashme me atë të arritur në tetor mes Komisionit dhe Pekinit për kufizimin e importeve të automjeteve hibride kineze nuk janë të mjaftueshme.
BE-ja përballet me një deficit tregtar me Kinën prej rreth 1 miliard eurosh në ditë, ndërsa rritja e importeve kineze me çmime të ulëta konsiderohet një kërcënim për mijëra vende pune në sektorë të ndryshëm të industrisë evropiane.
Në qershor, vendet anëtare i dhanë Komisionit Evropian mandatin për të negociuar me Pekinin, me synimin për të ribalancuar marrëdhëniet tregtare dhe për të zhvilluar instrumente të reja mbrojtëse. Ndërkohë, në tetor, Franca dhe Gjermania kërkuan krijimin e një mekanizmi të ri që do të kufizonte aksesin në tregun evropian për konkurrentët e huaj, aktiviteti i të cilëve shkakton çrregullime serioze në treg.
Në letrën drejtuar Komisionit, eurodeputetët nga Partia Popullore Evropiane, grupi liberal Renew, Socialistët dhe Demokratët, të Gjelbrit dhe Konservatorët dhe Reformistët Evropianë kërkojnë vendosjen e kuotave dhe tarifave të përgjithshme për të përballuar mbikapacitetet industriale të Kinës.
Ata ngrenë gjithashtu shqetësime për kontrollet e dobëta doganore, të cilat sipas tyre lehtësojnë shmangien e taksave dhe shkeljen e standardeve të sigurisë. Një tjetër problem i evidentuar janë hetimet e gjata të BE-së, të cilat mund të bëjnë që kompanitë evropiane të përballen me mbylljen përpara se të hyjnë në fuqi masat mbrojtëse.
Eurodeputetët kërkojnë që Komisioni të zbatojë një qasje sistematike, duke përfshirë thjeshtimin e rregullave për të ulur barrën mbi bizneset evropiane, përdorimin e instrumenteve të gjera të mbrojtjes tregtare, vendosjen e rregullave të rrepta për përmbajtjen vendase në zinxhirët e furnizimit dhe harmonizimin e kontrolleve doganore në të gjithë BE-në.
Nisma vjen në prag të bisedimeve që komisioneri evropian për Tregtinë, Marosh Shefçoviç, pritet të zhvillojë me homologun e tij kinez, ministrin e Tregtisë Wang Wentao, në janar dhe mars të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, Komisioni Evropian pritet të prezantojë përpara fundit të këtij viti instrumentin e ri të mbrojtjes tregtare, të kërkuar nga Franca dhe Gjermania.
