Last Updated on 19/11/2026 by Monika
Tatimpaguesit që kanë në ankim administrativ ose në gjykatë një detyrim tatimor kanë afat deri më 30 nëntor 2026 për të dorëzuar aktin e heqjes dorë nga procedura, nëse duan të përfitojnë nga skema e faljes me kusht.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se kanë mbetur 11 ditë dhe u kërkoi subjekteve ta paraqesin dokumentacionin përpara pagesës së detyrimit kryesor.
Sipas nenit 11 të ligjit nr. 86/2025, subjektet me detyrime tatimore ose doganore në shqyrtim mund të përfitojnë nëse heqin dorë nga ankimi administrativ, padia, ankimi gjyqësor ose rekursi, në varësi të fazës së çështjes.
Për detyrimet tatimore, akti i heqjes dorë dorëzohet me kërkesë zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse. Kur përfitimi kërkon pagesë, afati për shlyerjen e shumës së kërkuar nga ligji është 31 dhjetor 2026.
Çfarë falet deri në fund të vitit?
Për detyrimet tatimore të viteve 2015–2019, përveç kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, shuhet 25% e detyrimit kryesor dhe fshihen të gjitha gjobat e kamatëvonesat, nëse tatimpaguesi paguan 75% të detyrimit kryesor deri më 31 dhjetor.
Afati për skemën që lejonte faljen e 50% të detyrimit kryesor përfundoi më 30 qershor.
Për detyrimet tatimore të viteve 2020 – 2024, gjobat dhe kamatëvonesat shuhen nëse tatimi, taksa ose tarifa paguhet plotësisht deri më 31 dhjetor.
Për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të viteve 2015 – 2024, ligji lejon faljen e gjobave dhe kamatëvonesave me kusht që të paguhet i plotë kontributi brenda të njëjtit afat.
Për detyrimet tatimore deri në fund të vitit 2014, ligji parashikon fshirje të plotë, me përjashtim të kontributeve dhe rasteve të tjera të përcaktuara në ligj.
Nga skema përjashtohen detyrimet për të cilat ka një vendim gjyqësor të formës së prerë në favor të Tatimeve ose Doganave.
Udhëzimi zbatues lejon që disa gjoba të nenit 7, si ato për deklarim të vonuar ose dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare, të falen edhe kur ankimi vijon, nëse plotësohen kushtet përkatëse dhe për detyrimin nuk ka një vendim të formës së prerë në favor të administratës./MXH
