Last Updated on 19/11/2026 by EL
Kina shpreh interes për të zgjeruar investimet në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e industrisë së rëndë, ku bizneset kineze shohin mundësi për zhvillimin e projekteve të reja.
Ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, deklaroi se sipërmarrjet kineze janë të interesuara të investojnë në vendin tonë, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një klime të favorshme biznesi dhe garantimit të stabilitetit për tërheqjen e investitorëve të huaj. “Bizneset tona duan të investojnë në industrinë e rëndë shqiptare”, u shpreh ambasadorja.
Deklarata u bë në kuadër të një takimi të organizuar në qytetin e Elbasanit, me rastin e 77-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës.
Në takim morën pjesë ambasadorja Pang Chunxue, ish-studentë shqiptarë të diplomuar në universitetet kineze, si dhe inxhinierë të njohur, të cilët kanë dhënë kontribut në zhvillimin dhe drejtimin e disa prej ndërmarrjeve të mëdha industriale në Shqipëri.Takimi shërbeu si një mundësi për të vlerësuar historikun e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe për të diskutuar perspektivat e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike, me fokus të veçantë te investimet dhe industria.
