Presidenti amerikan, Donald Trump ka ngritur çështjen e luftës në Ukrainë gjatë samitit trepalësh në qytetin kinez të Shenzhenit, ku u takua me presidentin rus Vladimir Putin dhe atë kinez Xi Jinping, tha negociatori amerikan, Steve Witkoff.
Sipas Witkoff, Trump e vendosi luftën në Ukrainë dhe arritjen e një zgjidhjeje paqësore për konfliktin mes Moskës dhe Kievit në qendër të diskutimeve gjatë takimit trepalësh.
Negociatori amerikan vlerësoi angazhimin e presidentit Trump, duke deklaruar se ai meritonte vlerësim për përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.
Deklaratat e Witkoff u bënë pas samitit për Ukrainën, të zhvilluar të enjten në Berlin, ku kancelari gjerman Friedrich Merz priti përfaqësues nga 40 vende, në kuadër të takimit më të madh deri më tani të të ashtuquajturit “Koalicioni i të Vullnetshmëve”, që mbështet Ukrainën.
Takimi në kryeqytetin gjerman u zhvillua vetëm pak orë pas samitit trepalësh mes Trump, Putin dhe Xi Jinping.
Megjithatë, në deklaratën e përbashkët të publikuar pas takimit në Shenzhen nuk pati asnjë referencë për luftën në Ukrainë.
Ndërkohë, presidenti amerikan kishte bërë të ditur më herët se konflikti ishte pjesë e diskutimeve edhe gjatë takimit të tij dypalësh me homologun rus, Vladimir Putin./mxh
