Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka përshëndetur përfshirjen e Shqipërisë në nismën “Trump Peace Pipelines Framework”, e cila synon forcimin e sigurisë dhe diversifikimin e furnizimit me energji në rajon.
Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane bëri të ditur se ambasadori Wendt ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit gjatë Ministerialit të Partneritetit Transatlantik për Bashkëpunimin Energjetik (P-TEC).
Sipas Ambasadës, kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm në rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe në uljen e cenueshmërisë ndaj ndërprerjeve të mundshme të furnizimit me energji.
Gjithashtu, nisma pritet të krijojë mundësi të reja ekonomike për kompanitë dhe punonjësit amerikanë dhe shqiptarë, duke nxitur investimet dhe bashkëpunimin në sektorin energjetik.
“🇦🇱 Krenari të shohësh Shqipërinë t’i bashkohet nismës “Trump Peace Pipelines Framework”, ndërsa Ambasadori Wendt nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit në Ministerialin e Partneritetit Transatlantik për Bashkëpunimin Energjetik (P-TEC), duke dëshmuar për rritjen e angazhimit rajonal për sigurinë dhe diversifikimin energjetik. Ky është një hap i rëndësishëm drejt uljes së cenueshmërisë së rajonit ndaj ndërprerjeve të furnizimit me energji, duke krijuar njëkohësisht mundësi të reja për kompanitë dhe punonjësit amerikanë dhe shqiptarë”, shkruan Ambasada Amerikane në rrjetet sociale./k.m

