Last Updated on 20/11/2026 by Anisa
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, ku ka shpjeguar konceptin e “ripërtëritjes” së Partisë Demokratike.
Këlliçi tha se tani në PD ka shumë të rinj, por Ylli Rakipi u shfaq skeptik.
Ylli Rakipi: Zoti Këlliçi çfarë po ndodh tani me Partinë Demokratike? Slogani në këto kohë ka qenë “Ripërtëritje”. Të them të drejtën nuk e kuptoj mirë, si po zhvillohet ripërtëritja dhe kush në atë parti po ripërtërihet? Doktori do të bëhet më i ri, apo do të vini ju të rinjtë të merrni partinë dhe pushtetin?
Belind Këlliçi: Për ripërtëritjen, është aspekt në të cilin si forcë politike kemi ceduar ta çojmë mesazhin deri në fund në raport me disa të dhëna faktike. Në kryesin e PD, ke mbi 90% të anëtarëve, që janë zgjedhur për herë të parë, të rinj dhe të reja. Janë shumë të rinj, politikanë që janë zgjedhur për herë të parë, janë risi.
Ylli Rakipi: Po, po, ka plasur rinia në PD!
Belind Këlliçi: Ju jeni të hapur për ti dhënë hapësirë opozitës, do të gjeni shumë të rinj të shkolluar, shumë aktivë, figura që vijnë nga shoqëria civile. Për herë të parë, mosha mesatare e anëtarëve të Këshilit Kombëtar, është në kufirin e 35 vjeç dhe janë gra, zonja dhe zonjusha. Fakti që mesazhi nuk është përçuar, mund të jetë mangësi e jona. Keni për herë të parë 3 nënkryetarë të zgjedhur në PD, po heq veten por po të marr dy të rinj, Nikola Kedhi i mirëshkolluar dhe aktiv. Një i ri që është 30 vjeç, ka dhënë kontribut prej vitesh në PD. Shkrimet e tij janë publikuar edhe në disa media në SHBA, është bërë retweet edhe në faqen e Trump.
Ylli Rakipi: Po, po, te Trumpi kanë ndodhur çudira edhe më të mëdha se kjo e Nikola Ledhit… më fal, Kedhit.
Belind Këlliçi: Kemi pedagoge në Bruksel. Ajo është për tu marrë me diasporën. Pra ju jap këto të dhëna, që janë fakte dhe tregon se ripërtëritja nuk ka mbetur slogan por është kthyer në realitet në PD. Në forumin rinor të PD, është i vetmi që ka mbetur në Shqipëri dhe ky nuk është lajm i mirë pasi edhe PS ka patur forum rinor por e ka shkrirë. Edhe Partia e Lirisë nuk e ka më. Forumi i PD ka çelur garën në të gjithë Shqipërinë, po zgjedhin strukturat në fakultete dhe gjimnaze. Ti jap këto si tregues që ripërtëritja nuk është vetëm slogan me të gjithë problemet që kemi, është realitet i pamohueshëm. Ka ndodhur edhe procesi i protestave, është thirrur protesta e rradhës në 28 nëntor.
Ylli Rakipi: Mos e prishni ju?
Belind Këlliçi: Jo. PD bën thirrje të gjithë mbështetësve të marrin pjesë në protestë pa flamuj partiakë. Po kështu do të përfundojë zgjedhja e kandidaturave për zgjedhjet. /ad
