Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër lidhur me gjendjen shëndetësore të Erion Veliajt, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe Belinda Ballukun se po i pengojnë të burgosurit marrjen e trajtimit të nevojshëm mjekësor.
Në një deklaratë publike, Berisha pretendon se avokati i Veliajt dhe vetë ky i fundit, përmes një letre drejtuar Ballukut, kanë ngritur shqetësimin se atij nuk po i mundësohet ndërhyrja e domosdoshme kirurgjikale për trajtimin e frakturës në këmbë.
Sipas Berishës, ky qëndrim lidhet me kundërshtimin e Veliajt ndaj, siç pretendon ai, urdhrave për t’ia dorëzuar Bashkinë e Tiranës Arbër Hajdarit.
Berisha i ka cilësuar akuzat si një rast të rëndë të shkeljes së të drejtave të një të burgosuri, ndërsa ka drejtuar kritika edhe ndaj prokurorëve të çështjes, të cilët i akuzon për heshtje përballë kësaj situate.
Në reagimin e tij, kreu i PD-së u ka bërë thirrje Komitetit Antitorturë, institucioneve për të drejtat e njeriut pranë Këshillit të Europës, OSBE-së, OKB-së dhe Kryqit të Kuq Ndërkombëtar që të ndërhyjnë urgjentisht për të garantuar trajtimin mjekësor të Veliajt.
Berisha pretendon se jeta e ish-kryebashkiakut të Tiranës është në rrezik dhe kërkon garantimin e menjëhershëm të të drejtave të tij shëndetësore dhe ligjore.
