Last Updated on 20/11/2026 by EL
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, deputeti Tedi Blushi, ka kundërshtuar aktin normativ për tubimet, gjatë diskutimeve në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, duke e cilësuar atë antikushtetues dhe një përpjekje për të legjitimuar atë që ai e cilësoi si dhunë shtetërore.
Blushi pretendoi se akti normativ shkel 13 nene të Kushtetutës, duke cenuar të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, lirinë e tubimit dhe të drejtën për të protestuar.
“Kushtetutën po e zëvendësoni me shkopin e gomës. Dhuna shtetërore nuk mund të ligjërohet me akt normativ. Protestën nuk e trembni dot”, deklaroi Blushi.
Deputeti akuzoi Policinë e Shtetit për dhunë ndaj studentëve dhe gjimnazistëve, arrestime të paligjshme dhe përdorim të gazit lotsjellës e plumbave të gomës, duke ngritur pikëpyetje edhe për identifikimin e efektivëve përgjegjës për dëmtimin e protestuesve.
Ai u ndal veçanërisht te rasti i të riut Erjon Vishkulli, i cili u qëllua me plumb gome në sy, duke kërkuar të mësojë se kush ishte efektivi që qëlloi dhe kush dha urdhrin.
“Mjafton të shihni denoncimet e studentëve e gjimnazistëve, të cilët rrëmbehen në rrugë, futen në komisariate dhe dalin prej aty o me sy të nxirë, o me kafka të thyera”, u shpreh Blushi.
Blushi ngriti gjithashtu pretendime për presion ndaj të riut Enea në Spitalin e Traumës, si dhe për dhunë ndaj një gruaje shtatzënë dhe të miturve gjatë protestave.
Në përfundim, Blushi kërkoi që akti normativ të mos vijonte të shqyrtohej, duke e cilësuar atë një nismë të paprecedentë që, sipas tij, shkel 13 nene të Kushtetutës.
