Last Updated on 20/11/2026 by Monika
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka bërë të ditur se lufta në Ukrainë ka shkaktuar një numër alarmant viktimash mes fëmijëve. Sipas të dhënave të publikuara nga organizata, gjatë periudhës janar-tetor janë vrarë të paktën 114 fëmijë, ndërsa 1,030 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Kjo shënon nivelin më të lartë të viktimave në gati katër vitet e fundit.
Sipas UNICEF-it, mesatarisht më shumë se tre fëmijë humbin jetën ose plagosen çdo ditë. Shifrat bazohen në rastet e konfirmuara nga Misioni i Monitorimit të të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara në Ukrainë.
Situata është përkeqësuar edhe më tej gjatë muajit të fundit, kur të paktën 146 fëmijë u vranë ose u plagosën në zona të ndryshme të vendit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kjo përfaqëson një rritje prej 150 për qind.
UNICEF e ka cilësuar këtë zhvillim si një përshkallëzim shqetësues të dhunës ndaj fëmijëve, të cilët vijojnë të jenë ndër më të prekurit nga sulmet.
Edhe gjatë muajit nëntor janë regjistruar ngjarje të rënda me pasoja për civilët. Më 2 nëntor, një sulm ndaj një kompleksi shkollor në juglindje të Ukrainës, ku ishte ngritur një strehë nëntokësore për njerëzit dhe shpërndahej ndihmë humanitare, raportohet se shkaktoi 72 viktima. Ndërkohë, katër persona rezultojnë ende të zhdukur.
Një tjetër sulm, i ndodhur më 13 nëntor në qytetin e Zaporizhias, i mori jetën një 17-vjeçari dhe la të plagosur tetë fëmijë të tjerë.
Ndërkaq, UNICEF thekson se sulmet e verifikuara ndaj infrastrukturës energjetike që prej fillimit të vitit kanë arritur shifrën më të lartë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022./mxh
