Last Updated on 20/11/2026 by Monika
Nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi ka bërë një reagim për arrestimin e 41-vjeçarit, Miklovan Arapi, i cili ishte në kërkim nga Italia pasi është dënuar me 6 vjet burg për disa vepra penale.
Arapi, sipas raportimeve, është inspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe një nga personat që dolën me shkopinj nga selia e PS në një nga protestat e studentëve.
Këlliçi shkruan në reagimin e tij në rrjetet sociale, se ky person i cili cilësohet i rrezikshëm për shoqërinë, për kryeministrin Edi Rama është një person i përshtatshëm.
Ai shton më tej se Rama nuk do të mbajë pushtetin as me policë dhe as me banditë dhe se rënia e tij është e pashmangshme.
Reagimi i plotë:
Vjedhje e rëndë, vjedhje me armë, kanosje! Për këto vepra penale qenka dënuar në Romë, inspektori i IMT që Edi Rama e caktoi edhe gardist në selinë e PS, për të pritur me hunj të rinjtë protestues.
Një njeri i rrezikshëm për shoqërinë, i dënuar me 6 vite burg, por i përshtatshëm për Kryeministrin më të korruptuar në Europë.
Ky është një nga mijëra raste në këto 13 vite ku banditë e keqbërës kanë gjetur jo vetëm strehë e mbrojtje, por kanë bërë dhe karrierë me rilindjen. Edi Rama nuk do ta mbajë dot pushtetin as me policë, as me banditë.
Rënia e tij është e shpejtë dhe e pashmangshme!/mxh
