Last Updated on 20/11/2026 by EL
Fermerët prej më shumë se një muaji kanë nisur të marrin subvencionet e skemës kombëtare, ku për këtë vit fondi për njerëzit e tokës qe 5.2 miliard lekë.
Paratë fermerët edhe këtë vit do t’i marrin në dy këste, deri më tani 70% e fermerëve fitues kanë arritur të marrin 50% e parë të financimit që jep qeveria shqiptare.
“Jemi në nivelin e 48 mijë fermerëve në total, nga të cilët 34 mijë kanë përfituar këstin e parë prej 50% të mbështetjes financiare. Procesi i shpërndarjes së fondeve vijon gradualisht, me qëllim që edhe fermerët e tjerë të përfitojnë mbështetjen që u takon“, tha Fatmir Guri, zv.ministër i Bujqësisë.
Ndërkohë fermerët që kanë kërkuar mbështetje për skemën e financimit ende nuk janë disbursuar, kjo sepse sipas zv. ministrit të bujqësisë Fatmir Guri, shqyrtimit i dosjeve kërkon më tepër kohe se pagesat direkte.
“Meqenëse sistemi nuk mundëson kalimin e drejtpërdrejtë të pagesave, por kërkon fillimisht analizimin dhe verifikimin e dosjeve, është e nevojshme të presim për përfundimin e këtij procesi”.
Sipas Gurit, kjo nuk do të thotë se ministria e bujqësisë dhe agjencia e pagesave do ta nisin vitin e ri me borxhe.
“Ajo që është shumë e rëndësishme për ne është që deri më 31 dhjetor të kemi përmbyllur në masën më të plotë të mundshme procesin e pagesave në llogaritë bankare të fermerëve”.
Numrin më të lartë të aplikimeve këtë vit e ka zëri i blegtorisë, kjo pasi ministria e bujqësisë vendosi kritere të reja edhe për fermerët e vegjël
“Sa i përket skemës blegtorale, fondi i dedikuar arrin në rreth 4 miliardë lekë, çka do të thotë se më shumë se gjysma e mbështetjes financiare shkon për blegtorët”.
Heqja e naftës falas për bujqësinë, bëri që skema kombëtare 2026 të pritej me debate, edhe pse sipas ministrit të bujqësisë ky ndryshim erdhi pas 27 dëgjesave që ai bëri me njerëzit e tokës në të gjithë Shqipërinë.
Por sipas fermerëve ndërprerja e mbështetjes me naftë falas nxori në treg fruta dhe perimë më të shtrenjtë./ET
