Vitet e fundit, në pak kohë, Mounjaro është kthyer në një nga terapitë metabolike më të diskutuara në botë, kryesisht, për humbjen e peshës. Arsyeja se përse Mounjaro ka kaluar nga një medikament i ri për diabetin tip 2, në përdorim masiv për humbje peshe, nuk është vetëm aftësia për të ulur gliceminë, por ndikimi i fuqishëm që shkakton në oreks, peshë trupore dhe një sërë problemesh që lidhen ngushtë me obezitetin.
Interesi për këtë molekulë është shtuar më shumë nga Studimet e fundit, të cilat na njohin me të dhëna për përdorimin e saj te obeziteti, apnea obstruktive e gjumit dhe pacientët me obezitet të shoqëruar me insuficiencë kardiake. Megjithatë, ajo çfarë po përpiqen mjekët dhe studimet e fundit të thonë, është se Mounjaro nuk duhet parë si një “injeksion për dobësim”. Është një medikament me recetë, me efekte të fuqishme biologjike dhe me rreziqe që duhet të njihen para fillimit të trajtimit.
Mounjaro është emri tregtar i substancës aktive e cila në gjuhën e medikamenteve do të quhej tirzepatide. Tirzepatide i përket një gjenerate relativisht të re të medikamenteve metabolike dhe vepron njëkohësisht mbi dy receptorë hormonalë:
GIP, një hormoni që prodhohet në zorrë pas ngrënies dhe i jep sinjal pankreasit të prodhojë më shumë insulinë, si dhe GLP-1, një hormon që ndihmon pankreasin të prodhojë insulinë. Pikërisht ky veprim i dyfishtë e dallon tirzepatide nga shumë prej agonistëve klasikë.

Në Bashkimin Europian, Mounjaro është i autorizuar për trajtimin e diabetit tip 2 dhe për menaxhimin e peshës te grupe të caktuara të të rriturve me obezitet ose mbipeshë të shoqëruar me probleme shëndetësore të lidhura me peshën. Mënyra e veprimit të munjaros në organizëm do të krahasohej më së miri me shembullin ku pas një vakti zorra i dërgon trurit dhe pankreasit një mesazh: “ushqimi ka ardhur, përgatituni”.
Një pjesë e këtij komunikimi bëhet përmes hormoneve GIP dhe GLP-1. Tirzepatide imiton pikërisht veprimin e këtyre hormoneve. Kur glicemia rritet pas ngrënies, tirzepatide ndihmon pankreasin të sekretojë më shumë insulinë. Në të njëjtën kohë ndihmon në reduktimin e sekretimit të papërshtatshëm të glukagonit, hormon që nxit mëlçinë të çlirojë glukozë në gjak.
Por efekti nuk ndalet këtu. Tirzepatide ndikon gjithashtu në tru, veçanërisht në mekanizmat që kontrollojnë urinë dhe ngopjen. Shumë pacientë raportojnë se ngopen më shpejt dhe kanë më pak dëshirë për të ngrënë.
Medikamenti gjithashtu mund të ngadalësojë zbrazjen e stomakut, veçanërisht në fazat e hershme të trajtimit. Kjo është një nga arsyet pse zvogëlohen rritjet e shpejta të glicemisë pas vakteve, por është gjithashtu një nga shpjegimet për fryrjen dhe ndjesinë e stomakut plot që mund të shfaqen te disa pacientë.

Mounjaro për diabetin tip 2
Diabeti mellitus tip 2 mbetet një nga përdorimet kryesore të Mounjaro. Në Bashkimin Europian, tirzepatide përdoret së bashku me dietën dhe aktivitetin fizik te të rriturit me diabet tip 2 që nuk kontrollohet në mënyrë të mjaftueshme. Ai mund të përdoret vetëm kur medikamentet përkatëse nuk janë të përshtatshme për shkak të intolerancës ose kundërindikacioneve.
Ajo që e bën tirzepatide veçanërisht interesante është se vepron njëkohësisht mbi dy probleme që shpesh ecin së bashku: hipergliceminë dhe peshën e tepërt. Në studimet klinike të programit SURPASS janë parë reduktime të rëndësishme të peshës trupore. Reduktimi i peshës mund të përmirësojë ndjeshmërinë ndaj insulinës, tensionin arterial dhe disa faktorë të tjerë të riskut metabolik.
Mounjaro dhe obeziteti
Kur vjen puna tek obeziteti, kuptojmë përse mounjaro është bërë I njohur dhe I përdorur edhe jashtë botës së personave të prekur nga diabeti i tipit 2.
Në Europë, Mounjaro është i autorizuar si ndihmë ndaj një diete me më pak kalori dhe aktivitetit fizik për menaxhimin e peshës te të rriturit me obezitet, ose te disa persona me mbipeshë dhe të paktën një problem shëndetësor të lidhur me peshën. megjithatë, Mounjaro nuk është një preparat kozmetik për të humbur disa kilogramë. Një person mund të përgjigjet shumë mirë ndaj trajtimit, ndërsa një tjetër më pak.

Rezultati ndikohet nga shumë faktorë: pesha fillestare, diabeti, aktiviteti fizik, dieta, toleranca ndaj trajtimit, sëmundjet shoqëruese dhe kohëzgjatja e terapisë. Prandaj suksesi nuk duhet matur vetëm me pyetjen “sa kilogramë humba?”, por edhe me kontrollin e glicemisë, perimetrin abdominal, presionin arterial, aftësinë fizike dhe cilësinë e jetës.
Kur trupi humbet shumë kilogramë, pjesa më e madhe mund të jetë yndyrë, por mund të humbasë edhe masë e dobët trupore, ku përfshihet masa muskulare. Pikërisht për këtë arsye mjekët po theksojnë se trajtimi modern i obezitetit nuk duhet të synojë thjesht “sa më pak kilogramë”. Ruajtja e funksionit muskular, aktiviteti fizik i përshtatshëm dhe ushqyerja e balancuar janë pjesë e menaxhimit të pacientit.
Efektet anësore të Mounjaro
Sa i përket efekteve anësore të përdorimit të mounjaros, Pjesa më e madhe e tyre lidhen me sistemin gastrointestinal. Shumë pacientë i përjetojnë më tepër në fillim të trajtimit ose gjatë periudhave të ndryshimit të ekspozimit ndaj medikamentit.
Ndër simptomat që mund të shfaqen janë të përziera, diarrea, kapsllëku, të vjellat, vështirësi në tretje, dhimbja e barkut, fryrja dhe reduktimi i oreksit. Në shumicën e rasteve, simptomat janë të lehta ose mesatare. Një nga paralajmërimet e mjekëve në lidhje me përdorimin e mounjaros vjen në rastet kur ai shkakton Pankreatit akut, një komplikacion potencialisht serioz që sipas mjekëve duhet njohur.
Një pacient që përdor mounjaro dhe zhvillon një dhimbje të fortë, të vazhdueshme abdominale, sidomos kur shoqërohet me të vjella, nuk duhet ta konsiderojë automatikisht si “efekt normal të injeksionit”. Mounjaro stimulon insulinën në mënyrë të varur nga glukoza, prandaj kur përdoret vetëm, rreziku i hipoglicemisë është zakonisht më i ulët sesa me insulinën ose disa medikamente të vjetra për diabetin.
Sa i përket ndikimit të mounjaros në stomak, përdorimi I tij ngadalëson zbrazjen gastrike. Megjithëse për shumicën e pacientëve ky efekt është i menaxhueshëm, te pacientët me probleme serioze të lëvizshmërisë së stomakut, veçanërisht me gastroparezë të rëndë, kërkohet kujdes i veçantë. Një nga pyetjet që krijon më shumë ankth është ajo që lidhet me kancerin e teroides. Në studimet eksperimentale te brejtësit, tirzepatide, njohur si mounjaro, u shoqërua me tumore të qelizave C të tiroides. Megjithatë, kjo nuk vërteton se është provuar që Mounjaro shkakton kancer të tiroides te njerëzit.
Mounjaro dhe shtatzënia
Mounjaro nuk është një metodë për humbje peshe gjatë shtatzënisë. Nëse një grua planifikon shtatzëni ose zbulon se është shtatzënë gjatë trajtimit, nuk këshillohet ndryshimi i trajtimit vetëm duke u bazuar në informacion nga interneti, por nevojitet këshillim i domosdoshëm me mjekun.
Si përdoret Mounjaro?
Tirzepatide është një medikament injektues me veprim të zgjatur që përdoret sipas skemës së përcaktuar nga mjeku. Trajtimi nuk fillohet duke zgjedhur vetë dozën sipas numrit të kilogramëve që dëshiron të humbasë pacienti.
Doza përshtatet gradualisht nga profesionisti shëndetësor në bazë të indikacionit, tolerancës, kontrollit të glicemisë, efekteve anësore dhe barnave të tjera që përdoren.
Çfarë ka të re për tirzepatide në 2026?
Në vitin e fundit, tirzepatide, njohur si mounjaro nuk shihet më vetëm si një medikament që ul sheqerin dhe peshën. Interesi shkencor është zhvendosur drejt një koncepti shumë më të gjerë: trajtimi kardiometabolik.

Mounjaro është një shembull i qartë se si po ndryshon mjekësia metabolike. Nuk vepron vetëm mbi gliceminë, ndikon te oreksi, pesha dhe një numër faktorësh që lidhin obezitetin me diabetin dhe sëmundjet kardiovaskulare. Rezultatet e fundit e bëjnë historinë edhe më interesante. Por pikërisht sepse është një terapi e fuqishme, Mounjaro duhet përdorur me kujdes./k.m
