Rritja ekonomike, ulja e borxhit publik dhe kontrolli i inflacionit janë elementët që Petrit Malaj ka nënvizuar nga raporti për Shqipërinë i Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Ministri i Financave thotë se do të vijojë ndjekja e kësaj rruge me politika fiskale më të kujdesshme, rishpërndarje të shpenzimeve dhe zbatimi i reformave që e çojnë vendin më pranë BE.
“Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi vlerësimin periodik të Shqipërisë për vitin 2026 mbi ecurinë e treguesve makroekonomikë dhe fiskalë.
Ekipi i FMN-së vlerëson rritjen e fortë ekonomike të Shqipërisë, borxhin publik në ulje, si dhe aftësinë e ekonomisë shqiptare, për të mbajtur nën kontroll inflacionin.
Të tre këto elementë i mundësojnë ekonomisë shqiptare që të jetë më e përgatitur për t’u përballur me goditje që mund të vijnë nga jashtë.
Ministria e Financave do të vijojë me këtë rrugë duke ndjekur politika fiskale të kujdesshme, duke bërë një rishpërndarje më të drejtë të shpenzimeve buxhetore, si dhe duke ndjekur reformat të cilat e çojnë Shqipërinë më pranë Bashkimit Europian”, shprehet ai.
Sipas vlerësimit të FMN, rritja ekonomike e Shqipërisë në 2027 parashikohet të shkojë drejt potencialit të saj afatmesëm prej rreth 3,2 për qind.
Për paketën fiskale, shprehet se ka disa hapa për zgjerimin e bazës tatimore dhe reduktimin e trajtimeve preferenciale, por disa masa janë të patargetuara.
FMN vlerëson se ulja e përhershme e TVSH-së për ushqimet dhe heqja e taksës së qarkullimit janë masa nga të cilat përfitojnë edhe shtresat të cilat nuk kanë nevojë për mbështetje.
Për pensionet, FMN rekomandon reformimin e sistemit dhe lidhjen e moshës së daljes në pension me jetëgjatësinë.
Fondi paralajmëron se konfliktet jashtë vendit dhe zgjatja e protestave në Shqipëri mund të dëmtojnë turizmin dhe investimet./k.m
