Last Updated on 21/11/2026 by Klara
Nga Eduart Gjokutaj
Nëse turizmi është faktori kryesor i forcimit të lekut, si shpjegohet që euro zbret në 89.5 lekë në nëntor, kur fluksi i turistëve është sezonalisht i ulët midis Tetor-Prill dhe pritet të jetë edhe më i dobët se në nëntor 2025, në një klimë të ndikuar edhe nga protestat?
As remitancat, të cilat nuk hyjnë të gjitha në treg dhe as investimet e huaja direkte nuk japin në vetvete një ndryshim të tillë strukturor që të shpjegojnë bindshëm këtë trend. Aq më tepër që një pjesë e konsiderueshme e IHD-ve përfaqëson riinvestim të fitimeve të shoqërive ekzistuese dhe jo hyrje të reja valutore të reja nga jashtë, qe të konvertohen në tregun vendas.
Nuk mund të pranojmë si shpjegim të mjaftueshëm vetëm suksesin e ekonomisë formale, pa provuar se ku krijohet kjo ofertë valutore, si hyn në sistemin financiar dhe çfarë aktiviteti ekonomik e mbështet.
Duhet të analizohen flukset e kapitalit, transaksionet në pasuri të paluajtshme, financimet e brendshme, kërkesa për valutë, si dhe diferenca ndërmjet aktivitetit ekonomik të deklaruar dhe flukseve monetare që qarkullojnë në treg.
Nëse kursi i këmbimit po largohet gjithnjë e më shumë nga shpjegimi i aktivitetit të dukshëm prodhues dhe tregtar, atëherë kemi një problem transparence dhe strukture ekonomike që kërkon përgjigje nga Banka e Shqipërisë dhe institucionet fiskale.
Pra nuk mjafton që edhe për shumë kohë të na thuhet se kemi më shumë turistë dhe më shumë investime. Qytetarët kërkojnë të dinë pse euro vazhdon të bjerë edhe kur këta faktorë nuk e shpjegojnë më ritmin e forcimit të lekut.
ALTAX, mbi bazën e të dhënave të analizuara, e ka dhënë vlerësimin e vet. Të njëjtën çështje e kanë ngritur edhe ekonomistë dhe ekspertë të tjerë.
Tashmë është radha e Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, që në mënyrë të koordinuar dhe me të dhëna konkrete, të shpjegojnë origjinën e flukseve valutore, hedhjen e lekut në qarkullim, si faktorët që përcaktojnë kursin dhe pasojat e tij për ekonominë.
