Last Updated on 21/11/2026 by EL
Autori i “Kronikës”, ditën e enjte, mbërriti afër akshamit në Parlament, i veshur me jeshile nga këmbët te koka, me një shall mbi qafë, krejt si Baba Mondi, por pa shenjtërinë e tij. I mungonte vetëm ai guri që e prekin të gjithë për mbarështim e sevape!
Dita qe në të shkrehur edhe ngjarjet në të sosur! Ndaj sot u mor vendimi që të lahen kusuret e javës, të nxirren disa dekrete dhe të lihen detyra për kohët historike që po jetojmë!
Kureshtarët e shumtë që kanë ndjekur udhëtimet e Babos këto ditë kanë parë se mbante lidhur për dore një valixhe si ato diplomatike me kode bërthamore, shenjë e misterit dhe paralizës mendore që ka mbërthyer gjithë shoqërinë tonë, e cila ka nevojë për “Kronikën” që të mbërrijë në disa përfundime!
Veçilet e tij tregonin se herë pas here e hapte dhe prej saj nxirrte një radiografi këmbë dhe e këqyrte herë në diell, herë në hije! Rrezet lazer shohin atë që syri s’e kap, atë që natyra njerëzore nuk e shfaq, atë që frika nuk e shqipton! Gjëja është më e thellë sesa duket!
Krejt si radiografia e kinezit Ping te “Koncert në fund të dimrit” të Ismail Kadaresë, që nga Tirana udhëtonte drejt Pekinit, ashtu ajo e këmbës së Lal Erit futi në makth e ankth gjithë shtetin e Babos dhe atë vetë, që e mban kudo me vete, nga Fieri në Berlin! Natën në hotel ngrihej, pinte ujë, nuk i rrinte shpirti rehat, i hidhte një sy: këtu duket e ënjtur, aty e plasur, andej një hematomë, gjumi i bëhej def!
Darkave, studio më studio, shfaqet Blendi Klosi me një tepsi të mbuluar me napë, me një gjë si gungë poshtë saj! Sapo debati ndizet, ai me solemnitet ngrihet, tërheq degërminë dhe nën të shfaqet koka e Mamices, mufatur me mjaltë e kripë që të mos prishet!
Po me kaq virtuozitet nxjerr nga xhepi herë pas here biçakun që përdori për t’ia ndarë kaçurrelat aq të përfolur në sagat e Nallbasë prej supeve të hajthme e të brishta! Ky është biçaku që u rri te koka gjithë armiqve që ka Bota, sokëlliu me atë fije zëri që i kishte mbetur nga lodhja!
Duke parë që e mira mbulohet nga vesi, Kronika vendosi:
Sallës ose sallave ku do të mblidhet Asambleja e Partisë Socialiste t’i vihet emri “Nesti Angoni”! Për këtë ngarkohet Dallamanga Genc Gjonçaj, me sqepar e gozhda, të vendosë e të shkule tabelën sipas rastit!
Sallami kombëtar të marrë emrin Blendi Gonxhe! Në çdo salsiçe, si pullë, të vihet fotografia e tij.
Rrushit ragazi ai i Sypetrit Malajt!
Hamami i Durrësit të titullohet “Hamami i Tezes”!
Nga uji i Tepelenës të hiqet portreti i Ali Pashait dhe të vendoset koka e Termesë!
Gogozharët e Roskovecit të nderohen me emrin e Zeniqesë!
Ura Vajgurore të thirret “Ura Dilo Nasufi”!
Kanali vaditës në Peqin të marrë emrin e ndritur Rifat Salla!
Demir Demo të dekorohet me medaljen “Shuli i Babos” dhe të caktohet bekçi (roje) për ansamblin muzeal të të rënëve në oborrin e pasëm të PS-së!
Erjon Braçe të marrë emërtimin “Mistreci i Partisë”!
Toni unanimisht “Psallti i Rilindjes”!
Pirri Dengo të quhet “Gishtua i Parlamentit”!
Ditmar Bushati “Zorzopi i Brukselit”!
Erjo Mile “Preshi i Fierit”
Lungomares në Vlorë t’i ngjitet emri “Lungomarja Qefsere”!
Ulesia të emërohet “Kasneci” i Partisë!
Kalaja e pamposhtur e Sfetigradit, afër Dibrës, të marrë emrin e Belës!
Aty të strehohet Babua në ditë kiameti!
Kronika nuk mund të jetë aspak indiferente ndaj ëndrrës shekullore të shqiptarëve, që është integrimi.
Ndaj, për Shqipërinë 2030, ajo dekreton e krijon medalje e onorifiçenca të ndryshme!
Nostalgjia europiane e shqiptarëve 2030: fap, Mimi di Puccini!
Dhëmballa e artë europiane e shqiptarëve 2030: tak, Pandeli Majko!
Qyfyrexhiu e hokatar i politikës europiane të shqiptarëve 2030: vap, Gone Gjekmarkaj!
Garderoba e shqiptarëve europianë 2030 menjëherë ajo e Enno Bozdos!
Indiferenca e shqiptarëve europianë 2030 me legjitimitet ajo e Ivi Kasos!
Denoncuesi europian i shqiptarëve 2030: gojëzhëri, hop, Gaz Bardhi!
Heraldika e sqimës kombëtare e shqiptarëve europianë 2030: ah, Jorushi i Tabakëve, vetë ajo!
Shalqiri europian i shqiptarëve 2030: eh, Sajme Koreshi!
Kreshniku i eposit politik të shqiptarëve europianë 2030: oh, Flamur Noka!
Shkrimtarja e shqiptarëve europianë 2030 për librat e zinj zgjedhorë: Albana Vokshi!
Shqiptar lozonjar i Shqipërisë europiane 2030: namuzqari Sofjan!
Klodi Spaqia shpallet heqimja europiane e shqiptarëve 2030!
Nikollaqi i mbijetuari europian i shqiptarëve 2030!
Njeriu i padjallëzuar i shqiptarëve europianë 2030: yyy, Ervin Salianji!
Loti i gëzimit europian i shqiptarëve: aaaa, Etila Gjonaj!
Festua hajerhaberri europian i shqiptarëve 2030!
Të gjithë ata shqiptarë që mbarojnë shkolla e marrin grada, për ata shkruajnë libra e përgatisin tagji për kryetarët e Kuvendit, për ata që mbajnë verë në shpinë e pinë ujë, nderohen me Urdhrin “Kostaqi i argjendtë europian 2030”!
Evis Kushi, dhaskalica europiane e shqiptarëve 2030!
Damua ashiku europian i shqiptarëve 2030!
Gjithashtu, “Kronika” vendosi të lërë edhe detyra në një kohë të matshme!
Fatmir Xhafa të shkruajë librin “Yje të pashuar socialiste ndër dekada”!
Ogi të shkruajë esenë “Kush për Babon punon, selametin e gëzon”!
Në vitin 2030 monumenti i Ismail Qemalit kudo zëvendësohet me atë të Babos, ndërsa ai i Skënderbeut vetëm në sheshin me të njëjtin emër!
Delina Ibrahimi të paguajë harxhet!
