Last Updated on 21/11/2026 by EL
Imazhet e reja satelitore kanë zbuluar ndërtime të reja në këtë zonë, duke shtuar shqetësimet ndërkombëtare për përpjekjet e liderit Kim Jong Un për të fuqizuar arsenalin bërthamor të vendit.
Sipas një raportimi të The Wall Street Journal, zgjerimi është evidentuar në një prej objekteve kryesore të programit bërthamor koreano-verior. Ndërtimet e reja janë konfirmuar edhe nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), e cila ka paralajmëruar se Pheniani po vijon të rrisë kapacitetet për prodhimin e materialeve bërthamore, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare.
Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, bëri të ditur se punimet për shtimin e një seksioni të ri në objektin e pasurimit të uraniumit në Yongbyon nisën në mesin e shtatorit 2026. Deri në fund të tetorit, pjesa e jashtme e ndërtesës së re ishte përfunduar, sipas analizës së imazheve satelitore.
Zgjerimi vjen në kuadër të përpjekjeve më të gjera për modernizimin e kompleksit bërthamor. Koreja e Veriut ka ndërtuar më herët edhe një objekt të dytë për pasurimin e uraniumit në të njëjtën zonë.
Në shtator, IAEA njoftoi se kishte identifikuar këtë strukturë të re, duke krahasuar imazhet satelitore nga periudha e ndërtimit me fotografitë e publikuara nga mediat shtetërore koreano-veriore gjatë një vizite të Kim Jong Un në muajin qershor./et
