Mustafa Nano foli në emisionin e tij “Arnautistan” për protestën që është lajmëruar për në 28 nëntor. Ai tha se Berisha u ka bërë thirrje njerëzve të dalin në rrugë, sikur të ishte protesta e tij, ndërsa askush nuk u kujtua “nga organizatorët” që të dalë dhe t’i thotë se nuk është i mirëseardhur.
Ai vijoi më tej duke thënë se “nuk doli as Arlindi” (Qori), pasi siç po shkojnë punët edhe atë do ta përzënë nga protesta.
“Doli sërish këto ditë (Berisha) dhe u bëri thirrje që të gjithëve të dalin në rrugë më 28 nëntor. Sikur të ishte protesta e tij dhe nuk u kujtua ndonjëri nga organizatorët të dilte e të thoshte se berishjanët e Berisha nuk janë të mirëseardhur.
Nuk doli as Arlindi, që si po shkojnë punët, do të bëhet vetë i huaj dhe i papranuar në atë protestë. Ka rrezik ta përzënë një ditë. Në rrugë do mbeten veç studentët e Berishës dhe Lapaj plus Shehaj.
Shkurt, ajo që do të shohim më tej është protestë e berishjanëve të dëshpëruar, të përmalluar, të përvëluar për pak pushtet, që do bëjnë një sulm të fundit, një provë të fundit të forcës së tyre.
Po nuk qullosën gjë dhe këtë herë, marrin fund. E prandaj po organizohen si kurrë më parë, sido që kanë mbetur më pak në numër. Nuk është se i gënjen mendja se mund të arrijnë diçka me protesta, por të paktën kanë rigjetur njëri-tjetrin e do shkojnë së bashku në zgjedhjet lokale, ku gara do të jetë një skript i njohur, skenar i njohur, ata kundër Ramës. E të dalë ku të dalë”, tha Nano mes të tjerash në editorialin e tij./ad
