Ferrari pari shkëndija në pistë, por edhe në intervistat pas garës së Las Vegasit. Shefi i Kokëkuqes italiane, Frederic Vasseur nuk i kurseu kritikat e ashpra ndaj Charles Leclerc por nuk shpëtoi as Lewis Hamilton nga përgjegjësitë.
Piloti nga Monaco, pranoi kokëulur(por pa dëshirë) përgjegjësinë e tij për kontaktin me britanikun me këtë të fundit që u përpoq të lehtësojë sipas mënyrës së tij, klimën e rëndë që ka pushtuar Ferrarin.
CHARLES LECLERC
‘Nëse u penalizova, do të jetë sepse duket se për shumicën e njerëzve, aksidenti me Hamilton është për fajin tim dhe unë e pranoj. Nuk kam shumë për të thënë; do të shoh edhe njëherë incidentin, por do të jetë faji im. Nuk shpëtoj asgjë nga kjo fundjavë’.
FREDERIC VASSEUR (Shefi i Skuadrës)
‘Ajo që ndodhi është totalisht e papranueshme, si në Meksikë. Është e nevojshme të mendosh për ata që punojnë çdo ditë në Maranello, aksionerët dhe sponsorët. I kishim thënë Charles të mos sulmonte Leëis, por ai bëri një gabim që penalizon të gjithë ekipin. Sjellja e tij ishte absolutisht e papranueshme. Mesazhi pas asaj që ndodhi në Meksikë ishte i qartë, shumë i qartë dhe pa asnjë ekuivok. E kishim diskutuar edhe në Brazil, në atë që më dukej si një bisedë konstruktive, dhe u kishim kërkuar pilotëve tanë të mendonin për ekipin. Por rezultati ishte ai që pamë sot. Është zhgënjyese për të gjithë ekipin. Në fund të fundit, nuk jam unë që jam në timon, as inxhinierët. Pasojat e asaj që ndodhi këtu në Las Vegas do t’i diskutojmë nesër. Me siguri, pasi të jemi qetësuar dhe ta kemi analizuar situatën me gjakftohtësi, do të duhet të marrim masa. Por është krejtësisht e papranueshme që, pasi investojmë kaq shumë burime në një projekt, të shkatërrohet kështu puna e të gjithëve. Nuk e prisnim që gjërat të shkonin në këtë mënyrë. Presioni mes pilotëve tanë është rritur ndjeshëm; tani është shumë më i madh se 18 muaj më parë dhe, kohët e fundit, po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u menaxhuar. Problemi është një keqkuptim në marrëdhënien mes tyre, jo mes pilotëve dhe ekipit. Ata po përqendrohen më shumë te vetja sesa te interesat e skuadrës. Duhet të mësojnë të respektojnë njëri-tjetrin dhe ekipin, i cili po bën një përpjekje të jashtëzakonshme për të fituar. Sot kishim potencialin për të ngjitur në podium’.
LEWIS HAMILTON
‘Është Vasseur ai që duhet të vendosë. Unë e kam thënë atë që duhet të them e madje më shumë, por tani gjithçka po bëhet e vështirë. Unë duhet të bëj punën time në nivelin maksimal të mundësive të mia. Ajo që ndodh në sfond nuk varet nga unë. Nuk e di, dukej se gjithçka u sqarua. Personalisht nuk kam probleme me Charles dhe jam i kënaqur që punojmë së bashki, por kur jemi në pistë duhet të kujtojmë se jemi përgjegjës për punën e tyre që punojnë në Maranello dhe Çmimet e Mëdha. Beteja nuk duhet të jetë mes meje e Charles, por psh mes Ferrarit e McLaren për vendin e dytë në Botërorin e Konstruktorëve, një sfidë që nuk mund ta humbasim duke penalizuar punën e të gjithë skuadrës’./k.m
