Kreatina është një nga suplementet më të diskutuara vitet e fundit. Ndonëse shumica e studimeve janë përqendruar te burrat, kërkimet e reja sugjerojnë se edhe gratë, veçanërisht ato mbi 40 vjeç, mund të përfitojnë nga përdorimi i saj.
Gratë kanë natyrshëm rezerva më të ulëta të kreatinës në organizëm sesa burrat. Gjithashtu, me kalimin e moshës, këto rezerva mund të pakësohen edhe më tej.
Kreatina është një përbërës natyral që prodhohet nga organizmi dhe depozitohet kryesisht në muskuj. Roli i saj kryesor është të ndihmojë në prodhimin e energjisë, veçanërisht gjatë aktivitetit fizik intensiv dhe periudhave të lodhjes.
Ja katër përfitimet e mundshme të kreatinës për gratë mbi 40 vjeç.
1. Mbështet kujtesën dhe funksionin e trurit
Kreatina nuk ndihmon vetëm muskujt, por edhe trurin. Studimet sugjerojnë se ajo mund të përmirësojë kujtesën, përqendrimin dhe shpejtësinë e të menduarit, duke mbështetur furnizimin e qelizave të trurit me energji.
2. Mund të ndihmojë në ruajtjen e shëndetit të kockave
Pas moshës 40 vjeç, gratë fillojnë të përjetojnë një rënie graduale të densitetit kockor, e cila bëhet më e theksuar pas menopauzës. Disa studime sugjerojnë se kreatina, veçanërisht kur kombinohet me ushtrimet e forcës, mund të ndihmojë në ngadalësimin e humbjes së masës kockore.
3. Ndihmon në ruajtjen e masës muskulore dhe forcës
Me kalimin e moshës, trupi humbet gradualisht masë muskulore dhe forcë. Kombinimi i kreatinës me ushtrimet me pesha mund të ndihmojë në ndërtimin e muskujve dhe përmirësimin e forcës fizike, duke mbështetur pavarësinë dhe aktivitetin e përditshëm.
4. Mund të ndihmojë në uljen e inflamacionit
Inflamacioni kronik ka tendencë të rritet me moshën. Ndryshimet hormonale gjatë menopauzës mund të ndikojnë gjithashtu në proceset inflamatore të organizmit. Disa studime sugjerojnë se kreatina mund të ketë një efekt të lehtë anti-inflamator, megjithëse nevojiten më shumë kërkime për ta konfirmuar këtë përfitim.
Megjithatë, përfitimet për kockat dhe uljen e inflamacionit kërkojnë ende studime të mëtejshme. Para përdorimit të suplementeve, veçanërisht nëse keni probleme shëndetësore ose merrni medikamente, këshillohuni me mjekun./k.m
