Mbi 100 akademikë dhe intelektualë nga e gjithë bota, mes të cilëve edhe filozofja shqiptare Lea Ypi, kanë firmosur një manifest ndërkombëtar kundër përqendrimit ekstrem të pasurisë dhe fuqisë politike te miliarderët.
Manifesti, i publikuar nga gazeta franceze Le Monde më 21 nëntor, paralajmëron se rritja e pasurisë së një grupi shumë të vogël individësh po krijon një formë të re oligarkie globale, e cila sipas autorëve kërcënon funksionimin e demokracive, pavarësinë e medias dhe kontrollin demokratik mbi teknologjinë dhe inteligjencën artificiale.
Mes firmëtarëve janë disa prej emrave më të njohur të ekonomisë, filozofisë dhe shkencave sociale, përfshirë fituesit e çmimit Nobel: Daron Acemoglu, Esther Duflo, Paul Krugman dhe Joseph Stiglitz, si dhe ekonomistët Thomas Piketty, Gabriel Zucman, Mariana Mazzucato dhe Isabella Weber. Manifestin e kanë firmosur gjithashtu filozofë dhe teoricienë të njohur si Nancy Fraser, Wendy Brown, Étienne Balibar, Axel Honneth, Michael Walzer, sociologë, historianë dhe studiues të politikës si David Harvey, Cas Mudde, Jan-Werner Müller, Naomi Klein dhe Quinn Slobodian. Në këtë listë është edhe Lea Ypi, profesore e teorisë politike në London School of Economics dhe një nga intelektualet shqiptare më të njohura ndërkombëtarisht.
Autorët e manifestit e nisin argumentin nga rritja e fortë e pasurisë së njerëzve më të pasur në botë. Sipas tyre, kur revista Forbes nisi renditjen e pasurive më të mëdha në vitin 1987, 0.0001% më e pasur e popullsisë zotëronte pasuri të barabartë me rreth 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto global. Në vitin 2026, e njëjta pjesë e popullsisë, rreth 3 mijë familje, zotëron pasuri që arrin në 17% të PBB-së botërore.
Sipas firmëtarëve, kjo rritje nuk përkthehet vetëm në pasuri, por edhe në ndikim politik. Ata argumentojnë se miliarderët dhe aksionerët e mëdhenj kanë sot mundësi të ndikojnë në drejtimin e kompanive shumëkombëshe, në zhvillimin e inteligjencës artificiale, në mediat dhe rrjetet sociale, si dhe në financimin e fushatave politike dhe kandidatëve. Në këtë mënyrë, sipas tyre, fuqia ekonomike ushqen fuqinë politike dhe anasjelltas.
“Shpërthimi i pasurisë ekstreme është fakti kryesor social i kohës sonë”, thuhet në manifest, ku autorët paralajmërojnë se tensioni mes demokracisë dhe oligarkisë, i zbutur për disa dekada pas Luftës së Dytë Botërore, është rikthyer në qendër të zhvillimeve politike dhe ekonomike.
Në tekst përmendet edhe Elon Musk si një nga shembujt e përqendrimit të fuqisë ekonomike dhe mediatike. Autorët argumentojnë se blerja e Twitter, sot X, dhe përdorimi i platformave të mëdha dixhitale për qëllime politike nuk prek vetëm politikën amerikane, por edhe mënyrën se si zhvillohet debati publik në shumë vende.
Një tjetër shqetësim kryesor lidhet me inteligjencën artificiale. Sipas manifestit, një numër shumë i vogël kompanish teknologjike kanë marrë kontroll mbi sasi të jashtëzakonshme informacioni dhe kulture të prodhuar ndër shekuj, ndërsa vendimet për zhvillimin e teknologjive të AI-së mbeten në duart e një grupi të kufizuar kompanish dhe pronarësh. Autorët kërkojnë që zhvillimi i inteligjencës artificiale të vihet nën një kontroll shumë më të fortë demokratik dhe ndërkombëtar.
Manifesti propozon tre fusha kryesore ndërhyrjeje.
E para lidhet me taksimin e të pasurve. Autorët mbështesin vendosjen e një takse minimale vjetore mbi pasurinë e individëve me më shumë se 100 milionë dollarë, duke iu referuar propozimit të paraqitur në kuadër të G20 gjatë presidencës braziliane në vitin 2024. Sipas këtij modeli, ultra të pasurit do të paguanin një minimum prej 2% të pasurisë së tyre çdo vit.
Fusha e dytë lidhet me median. Firmëtarët argumentojnë se informacioni nuk mund të trajtohet si një mall i zakonshëm, pasi përbën “infrastrukturën themelore të demokracisë”. Për këtë arsye kërkojnë kufizimin e përqendrimit të pronësisë së medias, mbështetje më të fortë për mediat publike dhe mbrojtje më të madhe të gazetarëve nga ndërhyrjet dhe censura.
Fusha e tretë është inteligjenca artificiale. Autorët propozojnë modele pronësie ndërkombëtare dhe jofitimprurëse për kompanitë e AI-së, duke përmendur si shembuj organizata si Wikipedia, Signal dhe Firefox, të cilat funksionojnë jashtë modelit klasik të kompanive të kontrolluara nga aksionerë privatë.
“Përballë oligarkisë ndërkombëtare, duhet të ndërtojmë një Internacionalë demokratike”, thuhet në manifest.
Firmëtarët argumentojnë se çështja nuk lidhet vetëm me pabarazinë ekonomike, por edhe me të ardhmen e institucioneve demokratike dhe me aftësinë e shteteve për të kontrolluar sektorë strategjikë si media, teknologjia dhe inteligjenca artificiale.
Përfshirja e Lea Ypit në këtë nismë e vendos edhe një zë shqiptar mes një grupi të gjerë akademikësh dhe mendimtarësh ndërkombëtarë që po kërkojnë një debat të ri mbi raportin mes pasurisë, pushtetit ekonomik dhe demokracisë./k.m
