Nga Vilant Xhori
Në Partinë Demokratike po flitet shumë për ripërtëritje. Është bërë fjala magjike e një opozite që ka humbur jo vetëm zgjedhjet, por edhe aftësinë për të prodhuar një alternativë. Mjafton të shohësh një konferencë shtypi të Sali Berishës, ku pas shpinës së tij shkruhet “Ripërtëritje”, për të kuptuar komedinë politike që po luhet në selinë blu. Arkitekti i ripërtëritjes është pikërisht njeriu që e ka kthyer partinë në një pronë politike me tapi personale. Berisha është njëherësh autori, regjisori, protagonisti dhe spektatori i një shfaqjeje ku aktorët ndërrohen, por aktori kryesor nuk del kurrë në pension.
Kjo nuk është ripërtëritje. Është riciklim me ambalazh të ri, një kirurgji estetike politike ku ndërrohen fytyrat në vitrinë, por pronësia mbetet e njëjta. Ndryshon dekoracioni, jo arkitektura e pushtetit. Ndryshon mosha e protagonistëve, por jo raporti i tyre me kryetarin. Nënkryetarët e rinj të PD-së mund të jenë të rinj në moshë, por rinia politike nuk matet me datëlindjen. Matet me guximin për të kundërshtuar, me aftësinë për të menduar ndryshe dhe me gatishmërinë për të paguar çmimin e pavarësisë. Të hysh në procesin e ripërtëritjes me miratimin e Berishës, pa guxuar t’i bësh atij as kritikën më minimale, nuk është as rinovim dhe as emancipim. Është thjesht marrje licence për të ushtruar karrierën në oborrin e vjetër. Kjo do të thotë se të jesh i ri në PD nuk do të thotë domosdoshmërisht të sjellësh të renë. Pra, të jesh i ri në PD thjesht do të thotë një berishist me më pak thinja.
Rastet e kritikëve të mëparshëm të Berishës e bëjnë këtë paradoks edhe më domethënës. Dje artikulonin rezerva, kundërshtime e distancë nga modeli berishist. Sot duket sikur kanë kaluar ylberin politik dhe kanë zbuluar se parajsa e tyre paskësh qenë pikërisht vendi prej të cilit kërkonin të largoheshin. Nga kritika te përulja, nga distanca te përqafimi, nga autonomia te heshtja. Në politikë mund të ndryshosh mendje, por kur ndryshimi përkon me zhdukjen e çdo kritike, lind dyshimi se nuk ka ndryshuar bindja, por vetëm interesi.
Por tragjedia e PD-së shkon shuedhe më larg sepse PD-ja ka vrarë alternativën përpara se të sfidojë pushtetin. Ka zëvëndësuar konkurrencën e brendshme me besnikërinë. Nuk ka më një garë idesh për Shqipërinë, por një garë për afërsi me Berishën. Nuk kërkohen mendje që prodhojnë vizion, por vetëm zëra që përsërisin refrenin. Kështu, opozita ka degraduar në një administratë servile në shërbim të interesave personale të Berishës.
Në të vërtetë, PD-ja duhej të ishte shpresa e rotacionit demokratik. Në vend të kësaj, është kthyer në pengesën më të madhe të tij. I ka bërë shërbimin më të madh pushtetit që pretendon të rrëzojë sepse e ka lënë Shqipërinë pa një alternativë bindëse. Qeverisja mund të mos ketë nevojë për një opozitë të dobët, por më të dobishme se kjo vështirë se mund të gjente.
Për ta përfunduar, ripërtëritja me licencë nga Berisha është paradoksi më grotesk i politikës shqiptare: të shpallësh ndryshimin, duke garantuar me çdo kusht që asgjë të mos ndryshojë. Një parti që kërkon leje për të menduar ndryshe, nuk mund të pretendojë se do t’i japë vendit lirinë për të zgjedhur ndryshe. Dhe kur opozita vret alternativën, pushteti nuk ka më nevojë ta mundë atë. Opozita hyn e mundur në zgjedhje./k.m
