Përgatiti: Leonard Veizi
Më 24 nëntor 1943, në ujërat e Oqeanit Paqësor, një shpërthim i fuqishëm tronditi formacionin detar amerikan që operonte pranë ishujve Gilbert. Aeroplanmbajtësja amerikane USS Liscome Bay u godit nga një silur i lëshuar prej nëndetëses japoneze I-175. Goditja shkaktoi shpërthimin e depos së bombave të aviacionit, duke e shndërruar anijen në një kurth zjarri dhe metali.
Liscome Bay ishte një aeroplanmbajtëse shoqëruese e klasës Kasablanka, e ndërtuar për të mbështetur operacionet amfibe dhe për të siguruar mbrojtje ajrore për flotën. Ajo ishte vënë në shërbim vetëm pak muaj më parë dhe në nëntor 1943 ishte angazhuar në operacionin amerikan për pushtimin e ishujve Gilbert, një pikë strategjike në Paqësorin Qendror.
Në orët e para të mëngjesit, ndërsa ekuipazhi kishte zënë pozicionet e luftimit, siluri japonez goditi anijen. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm, sa shkatërroi një pjesë të madhe të strukturës së saj të pasme. Flakët përfshinë hangarin dhe kuvertën e fluturimit, ndërsa dëmtimi i sistemeve të brendshme e bëri të pamundur kontrollin e zjarrit. Pas vetëm 23 minutash, anija u përmbys dhe u zhyt nën ujë.
Bilanci ishte tragjik. Rreth 650 pjesëtarë të ekuipazhit humbën jetën, mes tyre edhe admirali Henri Maliniks, komandant i grupit të aeroplanmbajtëseve, si dhe Doris Miler, marinari afroamerikan që ishte dalluar gjatë sulmit japonez në Perl Harbor më 7 dhjetor 1941. Vetëm 272 pjesëtarë të ekuipazhit arritën të shpëtonin. Sipas të dhënave të ndryshme të Marinës amerikane, numri i të vdekurve llogaritet nga 642 deri në 646, ndërsa raportet e dëmeve luftarake përfshijnë edhe persona që mund të kenë ndërruar jetë më vonë nga plagët.
Humbja e Liscome Bay ndodhi në përfundim të një prej operacioneve më të rëndësishme amerikane në Paqësorin Qendror, të njohur si Operacioni Galvanik, që kishte nisur më 20 nëntor 1943. Objektivi ishte marrja e kontrollit mbi ishujt Gilbert, të cilët përbënin një hallkë të rëndësishme në sistemin mbrojtës japonez dhe një pikënisje për avancimin e mëtejshëm të forcave amerikane drejt Japonisë.
Pjesa më e përgjakshme e operacionit u zhvillua në Tarava, veçanërisht në ishullin Betio, ku japonezët kishin ndërtuar një sistem të fuqishëm fortifikimesh. Marinsat amerikanë u përballën me bunkerë betoni, mitraloza, artileri bregdetare dhe një rrjet llogoresh që e kthente çdo metër tokë në një pozicion mbrojtës.
Sulmi amfib nisi më 20 nëntor. Por zbarkimi nuk shkoi sipas planit. Shkëmbinjtë koralorë dhe niveli i ulët i ujit penguan mjetet zbarkuese, duke detyruar shumë ushtarë të përparonin në këmbë përmes ujit, ndërsa mbi ta hapej zjarr nga pozicionet japoneze. Për disa orë, situata e forcave amerikane ishte kritike. Megjithatë, mbërritja e përforcimeve, mbështetja e tankeve dhe bombardimet detare ndihmuan në thyerjen graduale të rezistencës.
Më 23 nëntor, pas rreth 76 orësh luftimesh të pandërprera, organizimi i rezistencës japoneze në Betio pushoi. Ishulli u shpall i siguruar, megjithëse operacionet në pjesë të tjera të atolit vazhduan edhe disa ditë.
Çmimi njerëzor ishte jashtëzakonisht i lartë. Amerikanët humbën 1009 marinsa, ndërsa 2101 të tjerë u plagosën. Nga garnizoni japonez, prej rreth 4800 ushtarakësh dhe punëtorësh të mobilizuar, 4690 u vranë. Shumica dërrmuese e mbrojtësve luftuan deri në fund.
Beteja e Taravës mbeti një nga përplasjet më të përgjakshme të fushatës amerikane në Paqësor. Ajo tregoi se epërsia detare dhe ajrore nuk mjaftonte për të mposhtur një mbrojtje të organizuar në një territor të vogël, ku çdo pozicion ishte përgatitur për rezistencë deri në vdekje.
Për amerikanët, marrja e ishujve Gilbert hapi rrugën drejt arkipelagut të Marshallit dhe avancimit të mëtejshëm në Paqësorin Qendror. Por Liscome Bay mbeti dëshmi e një tjetër realiteti të luftës: ndonjëherë, një silur i vetëm mund të shkaktonte brenda pak minutash një katastrofë më të madhe se një betejë e tërë.
