Last Updated on 22/11/2026 by Monika
Werder Bremen ka mposhtur Hamburgun me rezultatin 4-0 në “Weserstadion”. Pas një pjese të parë pa gola, vendasit zhbllokuan rezultatin në fraksionin e dytë me anë të kapitenit Marco Friedl.
Justin Njinmah dyfishoi shifrat pak çaste më vonë dhe realizoi golin e tretë me ndihmën e një devijimi nga Zakaria El Ouahdi, ndërsa Niclas Fullkrug vulosi rezultatin 4-0 në kohën shtesë pasi më herët kishte goditur shtyllën.
Me këtë sukses pas disfatës ndaj Stuttgart, Werder Bremen e çon në pesë numrin e ndeshjeve pa humbje në shtëpi në këtë sezon, ndërsa Hamburgu pëson humbjen e tretë në katër takimet e fundit në kampionat.
Në përballjen tjetër të Bundesligës, Augsburg mposhti Mainzin 3-1, duke siguruar fitoren e parë pas shtatë javësh në kampionat dhe suksesin e parë në shtëpi që nga java hapëse.
Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 19-të me Gregoritsch pas një goditjeje këndi të Rieder, ndërsa në minutën e 36-të Bah dyfishoi shifrat sërish nga një këndore.
Tre minuta pas nisjes së pjesës së dytë, Gregoritsch shënoi golin e tretë duke shfrytëzuar një pasim të gabuar me kokë të Posch, përpara se i sapofuturi Konigsdorffer të ngushtonte rezultatin për miqtë në minutën e 51-të.
Kjo humbje është e katërta radhazi në Bundesligë për skuadrën e drejtuar nga Urs Fischer, e cila tashmë ndodhet vetëm tre pikë mbi zonën e rënies nga kategoria./mxh
