Këngëtarja Xhensila Myrtezaj do të përballet me proces gjyqësor, pasi Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet ndaj saj dhe ka dorëzuar në gjykatë dosjen penale. Myrtezaj dyshohet për fshehje të të ardhurave në më shumë se një rast.
Sipas hetimeve, në fokus të çështjes kanë qenë shuma të konsiderueshme parash të depozituara në cash, si dhe transaksione të kryera për blerjen e pronave të paluajtshme, për të cilat, sipas Prokurorisë, nuk është arritur të provohet plotësisht burimi financiar përmes të ardhurave të deklaruara.
Ekspertiza kontabël ka evidentuar detyrime tatimore të papaguara në vlerën 2 milionë e 417 mijë e 311 lekë për vitin 2023 dhe 3 milionë e 658 mijë e 210 lekë për vitin 2024. Në total, shuma e përllogaritur arrin në 6 milionë e 75 mijë e 521 lekë.
Gjatë procesit të hetimit, këngëtarja ka argumentuar se të ardhurat e saj buronin nga aktiviteti artistik dhe koncertet e zhvilluara brenda dhe jashtë Shqipërisë. Megjithatë, sipas organit të akuzës, dokumentet e dorëzuara nuk kanë arritur të justifikojnë të gjithë shumën e konstatuar.
Tashmë çështja do të shqyrtohet nga gjykata, e cila do të vendosë mbi akuzat e ngritura ndaj artistes. Deri në një vendim përfundimtar, pretendimet e Prokurorisë mbeten akuza dhe nuk përbëjnë provë fajësie./mxh
