Last Updated on 23/11/2026 by Anisa
Më 22 nëntor, në portin e Bengazit në Libi, korveta ruse Merkury u godit nga dronë detarë ukrainas dhe u fundos. Për dy vende në luftë që nga viti 2022, si Rusia dhe Ukraina, ky nuk do të ishte një lajm i jashtëzakonshëm.
Ajo që e bëri këtë ngjarje të jashtëzakonshme ishte diversioni për të përfshirë Shqipërinë. Pa prova dhe pa fakte, fillimisht në Telegram nga adresa Clash Report, më pas në X në llogaritë pro-ruse u shpërnda lajmi i pavërtetë se dronët ishin nisur nga Shqipëria. Qëllimi nuk ishte vetëm të dëmtohej Shqipëria. Qëllimi ishte statusi i saj si anëtare e NATO-s. Nëse sulmi me dron do të ishte nisur nga territori shqiptar, ai do të paraqitej si sulm i NATO-s ndaj Rusisë, duke e zgjeruar konfliktin Rusi-Ukrainë në një konflikt Rusi-NATO.
Lajmi i rremë solli përgënjeshtrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Nga ana tjetër, presidenti Zelensky pranoi autorësinë e sulmit. Mediat ndërkombëtare, si Associated Press, duke iu referuar burimeve libiane, bënë të ditur se dronët ishin nisur nga bazat ukrainase në Libinë perëndimore, jo nga Shqipëria.
Reagimi i Shqipërisë
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme deklaroi se raportimet sipas të cilave sulmi me dron detar kundër një korvete ruse e ka pasur origjinën nga territori shqiptar janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet. Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë. Pretendimet u hodhën poshtë kategorikisht, si të paraqitura pa prova të verifikueshme.
Reagimi i Zelensky-t
“Operacion shembullor ukrainas si përgjigje ndaj luftës ruse. Falënderoj luftëtarët e SBU-së dhe të gjitha Forcat e Mbrojtjes të Ukrainës që morën pjesë në këto detyra. Mora raporte të hollësishme për hapat e operacionit dje dhe sot – objektivat që vendosëm u arritën.E gjitha ndodhi në brigjet e Libisë. Luftëtarët tanë përdorën shtatë dronë detarë të prodhuar në Ukrainë. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të armikut për të kundërsulmuar, korveta ruse Merkury u fundos. Është një nga anijet e tyre më të reja, e futur në shërbim në vitin 2023, gjatë luftës në shkallë të plotë. Një helikopter luftarak Ka-27 u shkatërrua gjithashtu së bashku me korvetën. Objektivi ynë i dytë ishte anija ruse e mallrave të thata MV ANGARA, të cilën armiku e përdorte për të transportuar armë. Rezultati: objektivi u godit. Ne po vazhdojmë operacionet tona në ujërat e përcaktuara. Ne po i përgjigjemi agresionit rus. Ne po zhvillojmë armët ukrainase. Lavdi Ukrainës!”
Mediat ndërkombëtare
Associated Press, duke cituar dy zyrtarë ushtarakë libianë, raportoi se goditja në Bazën Detare të Bengazit dëmtoi rëndë korvetën Merkury dhe shkaktoi zjarr në bazë. Sipas hetimit fillestar, dronët u lëshuan nga një bazë e drejtuar nga forcat ukrainase në Libinë perëndimore. Të paktën katër dronë u kapën dhe u shkatërruan, ndërsa dy goditën anijen. Edhe llogaritë e inteligjencës me burime të hapura në X u shprehën skeptike për përfshirjen e Shqipërisë. Ato rikujtuan se prej muajsh raportohet prania e personelit ushtarak ukrainas dhe specialistëve të dronëve në Libinë perëndimore, veçanërisht rreth Misratës./ad
