Miliarderja ruse Tatyana Kim nuk do të jetë më në krye të Wildberries, platformës më të madhe të tregtisë elektronike në Rusi. Vendimi për largimin nga posti i drejtoreshës ekzekutive vjen vetëm tre ditë pasi Bashkimi Evropian e përfshiu për herë të parë në listën e sanksioneve ndaj individëve dhe subjekteve ruse, në kuadër të masave për luftën në Ukrainë. Ndryshimi u bë zyrtar më 19 nëntor, kur drejtimin e kompanisë e mori Alexei Kulikov, një prej drejtuesve të saj të lartë. Megjithatë, Kim nuk po shkëputet nga biznesi që ndërtoi, pasi do të vijojë të merret me planifikimin strategjik dhe zhvillimin e grupit RWB, sipas medias së pavarur ruse Meduza.
Tatyana Kim, e njohur më parë me mbiemrin Bakalchuk, është konsideruar prej vitesh gruaja më e pasur në Rusi. Ajo themeloi Wildberries në vitin 2004 dhe e shndërroi atë në një prej kompanive më të mëdha të tregtisë elektronike në vend. Platforma ofron një gamë të gjerë produktesh, nga veshjet dhe pajisjet elektronike deri te artikujt shtëpiakë dhe pajisjet industriale. Sipas të dhënave të cituara në raportime, Wildberries zotëron më shumë se gjysmën e tregut rus të shitjeve me pakicë online dhe ka mbi 79 milionë përdorues mujorë.
Pavarësisht largimit nga drejtimi ekzekutiv, Kim ruan pronësinë e kompanisë dhe do të vazhdojë të ketë rol në përcaktimin e së ardhmes së saj. Më 16 nëntor, Bashkimi Evropian njoftoi një paketë të re masash kufizuese, që përfshinte 113 individë dhe subjekte të lidhura me Rusinë. Mes emrave të përfshirë për herë të parë ishte edhe Tatyana Kim.
Masat parashikojnë ngrirjen e aseteve që mund të ketë brenda territorit të BE-së, si dhe kufizime në transaksionet financiare dhe udhëtimet. Ndërkohë, Wildberries është përballur edhe me akuza nga Ukraina, e cila pretendon se kompania tregton produkte dhe pajisje me përdorim të dyfishtë, që mund të shërbejnë edhe për nevoja ushtarake ruse.
Që prej verës, objektet logjistike dhe magazinat e kompanisë janë goditur nga sulme me dronë ukrainas. Shërbimi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, HUR, ka njoftuar gjithashtu për sulme kibernetike ndaj kompanisë. Kim i ka dënuar publikisht sulmet, duke i cilësuar ato si akte terroriste dhe duke paralajmëruar për dëmet ndaj aktivitetit të kompanisë dhe tregtarëve që bashkëpunojnë me të. Përfshirja e miliarderes në listën e sanksioneve evropiane ishte kërkuar më herët nga autoritetet ukrainase.Vladislav Vlasyuk, përgjegjës për politikën e sanksioneve në Ukrainë, deklaroi se Kim ishte mes dhjetë biznesmenëve rusë për të cilët Kievi kishte kërkuar masa kufizuese nga Brukseli që në shtator. Ai paralajmëroi se Ukraina do të vijojë të kërkojë sanksione ndaj biznesmenëve që, sipas saj, mbështesin përpjekjet ruse të luftës.
Në të njëjtën paketë masash u përfshi edhe Alexander Chachava, aksionari kryesor i Ozon, një prej konkurrentëve më të mëdhenj të Wildberries në tregun rus të shitjeve online. Nga ana e saj, kompania ka bërë të ditur se ndryshimi në drejtimin ekzekutiv nuk do të ndikojë në funksionimin e përditshëm të aktivitetit të saj./ad
