Rrjetet kriminale shqiptare po fitojnë gjithnjë e më shumë ndikim në trafikun ndërkombëtar të kokainës, duke ndryshuar ekuilibrat mes organizatave mafioze në Evropë. Hetimet në Itali zbulojnë rolin e tyre në furnizimin e tregut të drogës, nga portet e mëdha evropiane deri në qytetin e Katanias, në këmbët e malit Etna.
Trafiku ndërkombëtar i drogës në Evropë po përjeton ndryshime të rëndësishme në raportet e forcës mes organizatave kriminale. Rrjetet shqiptare, të cilat tradicionalisht kanë qenë të përfshira në trafikun e marijuanës, vitet e fundit kanë zgjeruar aktivitetin e tyre edhe në tregun e kokainës, duke fituar pozicione të rëndësishme në disa prej nyjeve kryesore të shpërndarjes në kontinent.
Një panoramë e këtij ndryshimi del nga përgjimet e një hetimi të fundit në Katania të Italisë, ku në fokus është trafiku i drogës dhe marrëdhëniet mes grupeve kriminale që kontrollojnë tregun.
Në një prej bisedave të përgjuara, Mirko Scalia, i konsideruar nga hetuesit si një prej drejtuesve të trafikut të drogës në zonën e San Giovanni Galermos, diskuton me një bashkëbisedues me origjinë nga Kampania për rritjen e ndikimit të shqiptarëve në këtë sektor.
“Në vitet ’90 nuk kishte asnjë shqiptar që vinte këtu. Mafia ua priste duart. Tani, përkundrazi, është shqiptari ai që ia pret duart mafies”, shprehet Scalia.
Katania, një nyje e rëndësishme e trafikut të drogës
Pavarësisht operacioneve të vazhdueshme të forcave të rendit, Katania vijon të konsiderohet një pikë e rëndësishme për trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe furnizimin e provincave përreth.
Sipas vlerësimeve të përmendura në hetim, në qytet janë aktive rreth 42 pika të shitjes me pakicë të drogës, shumë prej të cilave kontrollohen nga struktura familjare.
Shtrirja e aktivitetit kriminal dëshmohet edhe nga sekuestrimet e fundit. Vetëm gjatë javës së kaluar, autoritetet italiane kanë sekuestruar më shumë se 20 kilogramë kokainë dhe marijuanë.
Në bisedat e përgjuara, Scalia thekson se në këtë treg nuk kanë më rëndësi aleancat apo marrëdhëniet tradicionale mes grupeve kriminale. Gjithçka përcaktohet nga fitimi ekonomik dhe aftësia për të ofruar çmime më konkurruese.
Çmimi i kokainës, faktori që ndryshon raportet e forcës
Sipas Scalia-s, kontrolli i tregut nuk përcaktohet domosdoshmërisht nga fuqia apo reputacioni i një organizate kriminale, por nga çmimi me të cilin ajo arrin të furnizojë klientët.
“Nëse ti më thua se e blen me 30 dhe unë ta jap me 25, nuk është detyrim, por për ty është një leverdi. Pra, pa bërë luftë, ti bëhesh i imi”, shpjegon ai gjatë bisedës.
Një tjetër element që del në pah është ndryshimi i çmimit të kokainës në tregun me shumicë. Në të kaluarën, një kilogram blihej edhe për rreth 30 mijë euro, ndërsa gjatë periudhës së hetimit çmimi kishte arritur në afro 40 mijë euro.
Scalia ia atribuon këtë rritje, ndër të tjera, vështirësive në furnizim dhe problemeve që kanë prekur grupet kriminale kalabreze, të cilat sipas tij kishin një rol të rëndësishëm në këtë aktivitet.
Rrjetet shqiptare po sfidojnë organizatat tradicionale
Në bisedat e përgjuara pranohet se trafikantët shqiptarë kanë fituar terren jo vetëm në Katania, por edhe në tregje të tjera të rëndësishme si Napoli dhe Milano.
“Edhe në Napoli dhe Milano”, konfirmon bashkëbiseduesi i Scalia-s, kur ky i fundit flet për fuqizimin e tyre.
Sipas tij, një prej faktorëve që ka ndikuar në këtë zgjerim është gatishmëria e trafikantëve shqiptarë për të marrë përsipër rreziqe të mëdha, përfshirë udhëtimet ndërkombëtare dhe ekspozimin ndaj dënimeve të rënda.
“Janë të çmendur, sepse lëvizin me makina. I marrin me qira dhe shkojnë në Holandë, edhe nëse rrezikojnë të dënohen me njëzet vjet burg”, shprehet Scalia.
Nga Holanda dhe portet e Evropës Veriore drejt tregut italian
Sipas analizave të Drejtorisë së Hetimit Antimafia në Itali dhe Europol-it, zgjerimi i aktivitetit të rrjeteve shqiptare në tregun e kokainës nuk është më një zhvillim rastësor, por një fenomen i konsoliduar.
Hetimet dhe analizat e institucioneve evropiane evidentojnë kapacitetet logjistike të këtyre rrjeteve në trafikun ndërkombëtar, veçanërisht në përdorimin e porteve të mëdha detare për transportin e ngarkesave të drogës.
Në këtë panoramë përmenden portet e Antverpit, Roterdamit dhe Hamburgut, si dhe pika të rëndësishme portuale në Spanjë dhe Itali./ad
