Last Updated on 23/11/2026 by Klara
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar lidhur me pretendimet e publikuara në disa platforma mediatike, sipas të cilave dronët detarë të përdorur në sulmin ndaj një luftanijeje ruse pranë brigjeve të Libisë janë nisur nga territori shqiptar.
Sipas njoftimit, këto pretendime, të përhapura fillimisht nga platforma Clash Report dhe më pas nga Visioner, nuk shoqërohen me asnjë provë të verifikueshme për vendnisjen e dronëve apo identitetin e operatorëve. Ministria thekson se Forcat e Armatosura të Shqipërisë nuk kanë kryer, nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë ofruar asnjë mbështetje për një operacion të tillë.
Ministria e Mbrojtjes mbështet gjithashtu qëndrimin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila e ka përgënjeshtruar zyrtarisht këtë pretendim. Në reagim nënvizohet se raportimet për sulmin ndaj anijes ruse nuk përbëjnë provë për origjinën e dronëve dhe as për përfshirjen e Shqipërisë në këtë operacion. Sipas ministrisë, lidhja e vendit me këtë ngjarje pa prova të konfirmuara përbën informacion çorientues./k.m
