Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi sot për shtimin e aktiviteteve armiqësore, që synojnë vendet anëtare të Aleancës, duke përmendur sabotimet, sulmet kibernetike, incidentet në hapësirën ajrore dhe kërcënimet ndaj transportit detar, sipas “Anadolu”.
Gjatë fjalimit në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Berlin, Rutte theksoi se aleatët duhet të reagojnë me vendosmëri dhe të tregojnë lidership përballë sfidave të reja të sigurisë.
Ai përmendi disa forma të kërcënimeve, duke përfshirë sulmet me zjarrvënie ndaj fabrikave, përdorimin e dronëve për të penguar funksionimin e aeroporteve, sabotimin e hekurudhave, sulmet ndaj anijeve tregtare dhe sulmet e vazhdueshme kibernetike.
Rutte iu referua gjithashtu incidentit të rrezikshëm në Poloni të premten e kaluar dhe zhvillimeve serioze të javëve të fundit në Detin e Zi.
Ai tha se NATO po punon me Rumaninë, Bullgarinë dhe Turqinë për të trajtuar këto kërcënime.
“E gjithë kjo po ndodh tani dhe nuk do të zhduket së shpejti”, paralajmëroi Rutte, duke nënvizuar se të gjitha vendet aleate, janë të ekspozuara ndaj këtyre rreziqeve.
Sipas tij, infrastruktura e vendeve anëtare është e ndërlidhur dhe kërcënimet ndaj tubacioneve, kabllove, rrjeteve energjetike dhe ekonomive, prekin sigurinë e të gjithë Aleancës.
“Ne të gjithë jemi objektiv i këtyre kërcënimeve dhe të gjithë preken prej tyre”, theksoi ai.
Kreu i NATO-s u bëri thirrje aleatëve të rrisin investimet në mbrojtje dhe të përshpejtojnë përmbushjen e angazhimeve për shpenzimet ushtarake.
Ai nënvizoi se vendet anëtare duhet të nisin veprimet që tani, dhe jo të presin deri në vitin 2035, kur synohet përmbushja e objektivave të përcaktuara në samitin e Hagës.
Rutte kërkoi gjithashtu rritjen e prodhimit industrial të pajisjeve ushtarake, veçanërisht të sistemeve të mbrojtjes ajrore, dronëve, teknologjive kundër dronëve dhe kapaciteteve për goditje me precizion në distanca të largëta.
Ai bëri të ditur se NATO po shënon përparim në prodhimin e municioneve dhe se Aleanca parashikon të ketë kapacitetin, për të prodhuar rreth katër milionë predha artilerie në vitin e ardhshëm, pothuajse dyfishin e nivelit të vitit 2025.
Duke folur për Ukrainën, Rutte theksoi se mbështetja ushtarake për Kievin, duhet të vazhdojë, veçanërisht për furnizimin me sisteme të mbrojtjes ajrore dhe municione.
Ai tha se kjo ndihmon Ukrainën të mbrohet nga sulmet ruse, por njëkohësisht forcon pozicionin e saj, në çdo negociatë të ardhshme me Moskën.
“Ne duhet t’i tregojmë Putinit se përpjekjet e tij për të dobësuar mbështetjen tonë do të dështojnë”, u shpreh Rutte.
Në përfundim, ai nënvizoi rëndësinë e forcimit të qëndrueshmërisë së shoqërive të vendeve aleate ndaj sabotimeve dhe sulmeve kundër infrastrukturës kritike, duke theksuar se qytetarët duhet të kenë besim se shërbimet jetike, energjia, spitalet, transporti dhe komunikimet do të vazhdojnë të funksionojnë edhe përballë kërcënimeve./mxh
