Last Updated on 23/11/2026 by EL
Arben Jaupaj, përgjegjës i galerisë së arteve “Edward Lear” – Berat
Ekspozitat janë gjithmonë ngjarje të gëzueshme për artistët dhe ftesa kurioze e sfiduese për artdashësit e një komuniteti. Ekspozita “Qyteti i dehur” e artistit Anastas (Taso) Kostandini, në Berat, (12 -24 Nëntor 2026) nuk është thjesht një moment gjallërimi kulturor. Pas ceremonisë, ndonjëherë paksa të zhurmshme, që lajmëron ardhjen e një artisti në qytet, vjen çasti i pritjes dhe i kureshtjes, grishja nga emri i artistit, nga titulli i ekspozitës dhe, sigurisht, nga ajo që mund ta quajmë “shija” e vizitës.
Por ndonjëherë një shikim nuk mjafton. Arti shijohet ngadalë. Ndoshta ky është privilegj i vecantë për ata që punojnë në galeritë e artit. Kështu ndodh edhe me “Qytetin e dehur”. Në takimin e parë, vështrimi përfshihet nga gjallëria e përgjithshme e tablove, nga ngjyrat, personazhet dhe atmosfera festive. Në rikthimet e mëvonshme, syri fillon të ndalet në detaje që më parë mund të kenë kaluar pau vënë re. Një kontur i turbullt, një shishe vere, një pjesë shtëpie ose oborri,enë, vegla, bute, katruve, shpesë oborri, një gjest apo një marrëdhënie e veçantë mes objekteve të shtyn të qëndrosh pak më gjatë.

Në këto momente pezullimi të këmbëve para një tabloje,pikërisht këtu fillon të kuptohet marrëdhënia e veçantë mes qytetit dhe artistit. Qyteti i jep atij lëndën e parë të kujtesës, ndërsa artistie kthen atë në imazhe, ngjyra dhe emocione. Një shkëmbim i vazhdueshëm, që nuk përfundon me krijimin e veprës, por vazhdon edhe në çastin kur qëndrojmë përpara saj. Taso nuk i është rikthyer qytetit në shumë prej kuadrove për ta ripikturuar, por për ta ripërjetuar. Rrugicat, oborret, hashefet, njerëzit, ritualet e verës, janë ena ku ka ndodhur fermentimi i shpirtit të artistit. Dehja është ndjesia që vjen pas dhe vibron në sallat e ekspozitës.
Nëse për artistin ky proces ka qenë një fermentim i gjatë shpirtëror, për vizitorin duket sikur ndodh diçka e kundërt, por njëherazi e ngjashme. Ai hyn në këtë botë përmes ngjyrave, formave, personazheve dhe situatave që në fillim i duken të njohura, por pak nga pak e tërheqin në një atmosferë të veçantë. Nëçdo rikthim, kjo botë duket sikur zgjerohet, paradoksalisht ashtu si shpalosen sallat e art- galerisë së Beratit. Ajo që ishte në fillim, përshtypje e përgjithshme, më pas kthehet në kërkim tëimët, një fytyrë e dalluar mes të tjerave, një objekt i vendosur në një cep të tablosë, një kazan që duket sikur e ke parë diku më parë. Ndoshta sepse, përtej Poradecit të artistit, secili nga ne fillon të gjejë aty diçka nga qyteti i vet, nga kujtimet e veta, nga njerëzit dhe zakonet që koha i ka larguar, por jo gjithmonë i ka fshirë.
Në sallat e ndriçuara të galerisë “Edward Lear”, pikturat e punuara me pastel vijojnë të “tregojnë” momente, çaste, gëzime, festa e takime. Ato duket se zhvillohen rreth e rrotull kazanëve të rakisë apo buteve të verës, dy “motorëve” që prodhojnë energji pareshtur. Është një qytet i tërë i futur nëpër qilare dhe i strukur nëpër sheshe. Lëngu i rrushit duket sikur ka zëvendësuar vetë pastelin. Burra, gra, fëmijë e pleq, herë të qeshur e herë të menduar, shfaqen me gotën apo shishen “besnike” pranë, ndërsa kazani i rakisë duket se mban vendin e tij të merituar në qendër të kësaj bote të vogël.

Ndjehet sikur artisti të ketë mbledhur për një kohë të gjatë në kujtesë, aromat, shijet, zërat dhe pamjet e qytetit, duke i lënë ato të ndërveprojnë e të shndërrohen brenda vetes, derisa kanë gjetur rrugën drejt telajos. Është një proces i heshtur dhe i ngadalshëm. Brenda tij kujtesa dhe imagjinata përzihen, transformohen dhe bashkë me gjurmët e pashlyera të së kaluarës, shndërrohen në një lëndë të re krijuese, në përjetim të ri artistik. Shikim pas shikimi, edhe vizitori, pa e kuptuar, nis përjeton një proces të ngjashëm, mbart me vete pamje dhe emocione nga “Qyteti i dehur”, të cilat vazhdojnë të “distilohen” edhe pasi është larguar prej tij.
Edhe kompozimi i mjeshtrit Taso ndryshon nga një tablo në tjetrën. Në disa prej tyre, objektet dhe figurat grumbullohen, mbivendosen dhe krijojnë një hapësirë të dendur, pothuajse të mbushur deri në skaj, ku syri duhet të kërkojë rrugën e vet. Në të tjera, një objekt i vetëm apo një figurë merr peshë të veçantë dhe bëhet pika ku “ngecet” vështrimi. Kjo liri në organizimin e hapësirës, së bashku me përmasat që sikur ndryshojnë sipas rëndësisë emocionale të sendeve, i jep tablove një karakter krejt të veçantë.

Disa prej tyre fitojnë dritë tjetër kur ndryshon distancën apo këndin e shikimit.Disa të tjera të risjellin motivet e dashura kuteliane, disa tëçojnë në ikonat e qytetit mikpritës. Cdo tablo është dritare dhe pasqyrë, por mbi të gjitha është kujtesë. Piktori gjen mënyra ta riprodhojë kujtimin e rrëfenjës, objektin e nostalgjisë, imagjinata miksohet me to dhe shkrihet në ngjyra të dendura pasteli.
Vizitori fillon pakuptuar të ndjejë një transformim gradual. Në çdo shikimduket sikur “Qyteti i dehur”të afron më shumë me kujtesën personale. Një skenë fillon të kujtojë një oborr të njohur, një tjetër një festë të dikurshme, një fytyrë të zgjon kujtimin e dikujt që nuk është më. Kështu, qyteti i artistit nis të bëhet në njëfarë mënyre, edhe qyteti yt, qyteti i vizitorit të galerisë.Është sikur të gjendesh për pak çaste brenda një feste që s’ka filluar sot dhe që s’përfundon me mbylljen e ekspozitës.
“Zjarr në vatër”, “Qilari i dehur”, “Brendi vere dhe rakie”, “Zjarri i rakisë në oborr”, “Vizitë e cuditshme”, “Natyrë e qetë e dehur”, “Dehje klasike” etj. etj. Por, ndërsa vështrimi përpiqet të ndjekë fillin që i lidh tablotë, lind përshtypja se përtej gëzimit, verës dhe rakisë, artisti kërkon të ruajë diçka që koha rrezikon t’ia fshijë nga kujtesa. Ndoshta janë pamje të një qyteti që nuk shfaqet vetëm përmes rrugëve, shesheve apo peizazheve të tij, por edhe përmes zakoneve ose atyre momenteve të vogla që, të marra veçmas, mund të duken të zakonshme, por së bashku përbëjnë shpirtin e një vendi.
Tërheqin gjithmonë vëmendjen detajet e shumta, raportet midis ngjyrave,nga ato të ngrohta të qilareve me zjarret ndezur poshtë kazanëve, tek zhvendosja e procesit sipër në sheshe dhe breg liqeni, mes ngjyrave më të ftohta të peizazheve pogradecare, artisti përcjell histori të një pune komunitare si punimi i tokës dhe vjelja e rrushit,për të shkuar tek një akt individual qëështë zjerja e rakisëdhe për t’u rikthyer ose për t’a rikthyer tek shpirti i festavenë grupe miqsh nëpër tablo. Nëpër tablo, në skena ku njerëzit me gëzimin qëka thyer lodhjen dhe lexohet te gotat në duar, qëndrojnë sikundër veglat, pranë e pranë.
Ashtu si qyteti, artisti po njëlloj e transformon “zjarrin” individual të krijimit në një prurje të re estetike për publikun.
Mbas cdo shikimi të ekspozitës, pikturat e Tasos fitojnë një valencë të re. Nga rikthimi nostalgjik i një të kaluare të “arkivuar” në kujtesë, ato të sjellin në një të tashme të re, me ngjyra dhe dritë të re, gati për t’u rijetuar. Ato janë një dehje e ëmbël që transformon shikuesin e ngadaltë, është festë e kujtesës, e miqësisë, e jetës së përbashkët, që të fton të ndalesh, të buzëqeshësh dhe, pse jo, për t’u ndier paksa i dehur, teksa kupton që nuk mban brenda vetes një pjesë të Poradecit por edhe të qytetit tënd të lindjes.
Suksese mjeshtër Taso!
