Last Updated on 23/11/2026 by Monika
Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanár, pas takimit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” ose “Friends of the Western Balkans”, ka komentuar procesin e integrimit në BE të Shqipërisë.
Sipas Blanárit, anëtarësimi i vendeve të para të Ballkanit Perëndimor po afron, duke i konsideruar qartazi Shqipërinë dhe Malin e Zi si vendet më të favorizuara.
Sipas ministrit sllovak, ky është një premtim i dhënë rreth 25 vite më parë dhe duket se dera e BE-së është tashmë shumë pranë për vendin tonë dhe Malin e Zi.
Ministri i Jashtëm i vendit europian shtoi se pranimi i vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian do të tregonte se anëtarësimi është i arritshëm për të gjitha vendet që e dëshirojnë dhe aspirojnë përfshirjen në familjen evropiane.
“Çështjet e ndryshme që vijnë nga e kaluara dhe që mbeten ende të pazgjidhura duhet të zgjidhen në tryezën e negociatave në Bruksel.
Ky është edhe qëllimi i integrimit, të forcohemi dhe të ndërtojmë një bashkësi të aftë për t’u përballur me sfida të ndryshme.
Jemi tani në një moment historik kur mund të arrijmë anëtarësimin e të paktën dy vendeve të tjera, që janë mjaftueshëm të përgatitura për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave dhe për të kaluar te traktati i anëtarësimit, përkatësisht Mali i Zi dhe Shqipëria”, tha Blanar./Mxh
