Last Updated on 24/11/2026 by Anisa
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla së bashku me deputetin Erion Braçe prezantuan sot në Komisionin e Ligjeve projektligjin për sponsorizimet që synon krijimin e një mekanizmi të ri financimi për sportin, artin dhe kulturën, përmes angazhimit të sektorit privat.
Në fjalën e tij Balla theksoi se propozimi parashikon që bizneset të kenë mundësinë të transferojnë 30% të tatimfitimit për mbështetjen e këtyre sektorëve, ndërsa pjesa më e madhe e financimit duhet t’i dedikohet sportit.
“Sporti shqiptar ka nevojë për mbështetje. Ne nuk pretendojmë që hallet e sportit mbarojnë me këtë ndërhyrje. Në aktet nënligjore që do të bëjë ministria, qofshin vendime të Këshillit të Ministrave apo udhëzime, duhet të jetë shumë e qartë që pjesa e luanit duhet t’i kalojë sportit. Brenda kësaj pjese duhet të kemi parasysh edhe një preferencë të posaçme për sportin e futbollit. Të gjithë këtu në këtë sallë, qoftë majtas, qoftë djathtas, përfaqësojmë zonat tona, bashkitë tona dhe në secilën prej tyre kemi ekipet zinxhir të futbollit. Të gjithë duam që të ketë një aktivitet sportiv të mbështetur financiarisht”, deklaroi Balla.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së propozoi që tavani financiar i parashikuar nga qeveria të rritet nga 2 miliardë në 3 miliardë lekë për vitin e parë të zbatimit të skemës.
“Lajmi i mirë është që më në fund ne arrijmë të krijojmë një skemë financimi. Viti i parë i aplikimit do të jetë viti 2027, efektet financiare do të reflektohen në vitin 2028, sepse tatimfitimi raportohet në vitin pasardhës. Mirë do të ishte që tavani, të paktën nëse nuk e heqim fare, të shkonte nga 2 miliardë në 3 miliardë lekë, si fillim për vitin e parë. Megjithatë, është një çështje që do ta shohim deri në seancë plenare”, u shpreh Balla./AD
