Last Updated on 24/11/2026 by EL
Nga Lutfi Dervishi
Kafenë e parë sot e shoqërova me leximin e komenteve të një videoje në Instagram. Një opinioniste kishte dhënë një mendim në televizion dhe media kishte postuar pikërisht pjesën që me siguri do të ngjallte interes. Videoja kishte 149 komente. Jam i sigurt se 150 ishin negative. Edhe komenti i 150-të, që po shkruhej në momentin që unë po lexoja, kishte pak gjasa të prishte rrjedhën.
Sharje, fyerje, mllef, përçmim, urrejtje, deri në thirrje për linçim.
Edhe unë nuk e pëlqej mendimin e saj, sepse është bardhezi. Madje, më shumë i bardhë se bardhezi. Sipas saj, këtu gjërat po ndrijnë.
Por pasi i hodha një sy të shpejtë komenteve, më erdhi dëshira ta mbroja… Jo mendimin e saj, por të drejtën e saj për ta pasur atë mendim.
“Nuk jam dakord me atë që thua, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tënde për ta thënë”, është një shprehje e njohur që i atribuohet Volterit. Sot duket sikur kemi përqafuar variantin e kundërt: nëse nuk jam dakord me atë që thua, ti nuk duhet të kesh më të drejtë të hapësh gojën.
Filozofi danez Kierkegaard ironizonte njerëzit që kërkojnë lirinë e fjalës si kompensim për lirinë e mendimit, të cilën rrallë e përdorin. Po sikur ta kishte njohur ai Facebook-un!
Çfarë fitojmë nga gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale? Në rastin më të mirë, asgjë; në rastin më të keq, drama e tragjedi. Kemi parë se si sherret mes adoleshentëve, të nisura me disa fjalë në ekranin e celularit, kanë përfunduar me humbje jete.
Fjalët virtuale, këta gurë digjitalë, mund të prodhojnë viktima reale.
Tek “Game of Thrones”, Jon Snow në një monolog flet për rrezikun që lind kur njerëzit nuk u japin më vlerë fjalëve të tyre: në fund, e vërteta humbet dhe mbeten vetëm gënjeshtrat gjithnjë e më të sofistikuara. Diçka e ngjashme ndodh edhe me fyerjet. Kur çdo kundërshtar është tradhtar, çdo kritik është armik dhe çdo mendim ndryshe është provokim, fjalët humbasin kuptimin dhe njerëzit humbasin respektin për njëri-tjetrin.
Sigurisht, gjuha e urrejtjes nuk është grip shqiptar, është një epidemi globale. Teknologjia i ka dhënë mundësi kujtdo të flasë, por nuk i ka mësuar askujt se si të dëgjojë. Mësojmë të flasim që në moshën dy apo tre vjeç e disa prej nesh kalojnë një jetë të tërë pa mësuar të dëgjojnë. Edhe kur dëgjojmë, shpesh e bëjmë për të kthyer përgjigje, jo për të kuptuar. Ndërsa tjetri flet, ne përgatisim kundërsulmin.
Këtë model e shohim çdo natë edhe në debatet televizive: diskutimi nis për buxhetin dhe përfundon për Bexhetin.
Një përgjegjësi jo të vogël këtu kanë edhe vetë mediat. Në kërkim të klikimeve dhe like-ve, nuk po vënë re se komentet po kthehen në kolektorë të ujërave të zeza.
Hapësira e komenteve kërkon moderim e nëse një media nuk ka mundësi ta moderojë, më mirë le ta mbyllë. Natyrisht, moderimi nuk do të thotë të fshish kritikën, kundërshtimin apo edhe akuzat, por ka një dallim të qartë mes kritikës dhe kërcënimit, mes argumentit dhe përçmimit, mes satirës dhe linçimit.
A ka zgjidhje? Ndoshta duhet të lexojmë apo të dëgjojmë postimin para se të shkruajmë komentin; ndoshta duhet të pranojmë, herë pas here, edhe mundësinë e “tmerrshme” që tjetri mund të ketë të drejtë. Në një shoqëri të lirë duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me mendime që nuk na pëlqejnë, përndryshe, liria e shprehjes do të na duket e mrekullueshme vetëm për aq kohë sa të tjerët mendojnë si ne.
Po të isha ulur në kafe me opinionisten, ndoshta do të debatonim një orë dhe nuk do të binim dakord për asgjë.. Në fund, do të shtrëngonim duart dhe secili do të vazhdonte rrugën e vet. Përse na duket kaq e vështirë të bëjmë të njëjtën gjë përpara një ekrani?
Dikur na mësonin të numëronim deri në dhjetë përpara se të flisnim kur ishim të zemëruar. Sot mjafton të numërojmë deri në dhjetë përpara se të shtypim “Posto”.
