Këngëtarja iraniane Parastoo Ahmadi është dënuar me 74 goditje me kamxhik, për shkak të një performance muzikore gjatë së cilës u shfaq pa hixhabin e detyrueshëm, në kundërshtim me rregullat në fuqi në Iran.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, të njëjtin ndëshkim kanë marrë edhe katër anëtarë të ekipit të saj të produksionit. Bëhet fjalë për organizatorin e koncertit, Mohsen Lashkari, si dhe muzikantët Soheil Faghih-Nasiri, Amin Taheri dhe Amir-Ali Pirnia.
Çështja lidhet me publikimin në internet të performancës së titulluar “Koncerti i Karavanserait”, e realizuar në dhjetor të vitit 2024 në karvanserain historik Deir-e Gachin, pranë qytetit të Qomit, një prej qendrave më të rëndësishme fetare në Iran.
Në videon e publikuar, Ahmadi shfaqet duke kënduar së bashku me muzikantë meshkuj, pa praninë e një audience të drejtpërdrejtë. Këngëtarja kishte zgjedhur të performonte me një fustan të gjatë të zi, pa mëngë, ndërsa flokët i kishte të zbuluara, duke sfiduar rregullat iraniane që kërkojnë mbajtjen e detyrueshme të hixhabit për gratë.
Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtor i organizatës IHRNGO, tha për CNN-së se veshja e këngëtares luajti një rol të rëndësishëm në ndëshkimin e saj. Megjithatë, ai theksoi se çështja nuk lidhej vetëm me mosmbajtjen e hixhabit, por edhe me performancën e saj publike dhe sfidën ndaj autoriteteve iraniane.
Rasti i Parastoo Ahmadit ka rikthyer në vëmendje kufizimet me të cilat përballen gratë artiste në Iran, veçanërisht sa i përket lirisë së shprehjes, veshjes dhe pjesëmarrjes në aktivitete muzikore publike./k.m
