Last Updated on 24/11/2026 by EL
Zbardhet në Greqi vrasja e 52-vjeçarit Niko Gavanozi, i njohur si “Papagalli”, i ekzekutuar me armë zjarri në zonën e Glifadës në Athinë. Policia greke ka identifikuar dy persona të dyshuar për përfshirjen në ngjarje: një 48-vjeçar grek, i cili është arrestuar, dhe një 48-vjeçar shqiptar nga Saranda, Eduart Qendrothanasi, i njohur edhe me aliasin Stamatis Qendrothanasi, i cili është shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Greke, i dyshuari shqiptar dyshohet se drejtonte motorin me të cilin autorët iu afruan viktimës. Ndërkohë, 48-vjeçari grek akuzohet për bashkëpunim në vrasje, pasi dyshohet se i ndihmoi autorët të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Mediat greke raportojnë se 52-vjeçari u vra në orët e para të 11 tetorit 2026, pranë zonës së fushës së golfit në Glifadha, vetëm pak metra larg banesës së tij. Fillimisht, pamja e trupit të pajetë pranë motorit bëri që ngjarja të ngjante me një aksident rrugor, por hetimet dhe provat e gjetura në vendngjarje zbuluan se bëhej fjalë për një ekzekutim me armë zjarri.
Ky zhvillim ka nxjerrë në pah edhe të kaluarën e 48-vjeçarit shqiptar, i cili rezulton i kërkuar nga autoritetet greke për një grabitje të armatosur të ndodhur më 27 korrik 2023, në një zyrë postare të kompanisë “ELTA” në Mesini.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga hetuesit, dy persona që udhëtonin me motor iu afruan Gavanozit, i cili po lëvizte gjithashtu me motor. Njëri prej tyre hapi zjarr disa herë në drejtim të 52-vjeçarit, duke bërë që ai të humbiste kontrollin e mjetit dhe të rrëzohej në rrugë.
Por sulmi nuk përfundoi me kaq. Autorët u larguan fillimisht, por u kthyen sërish në vendngjarje dhe qëlluan përsëri ndaj viktimës, për t’u siguruar që ai të mos mbijetonte.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia gjeti dhe sekuestroi 10 gëzhoja arme zjarri. Nga ekspertiza mjekoligjore u përcaktua se vdekja e 52-vjeçarit kishte ardhur si pasojë e plagëve të shumta të shkaktuara nga plumbat.
Si u zbulua skema e arratisjes
Hetimet e mëtejshme u përqendruan te lëvizjet e autorëve pas ekzekutimit. Sipas Policisë Greke, dy personat që përdorën motorin për të kryer vrasjen u drejtuan fillimisht për në Keratea, ku e parkuan mjetin në një banesë të izoluar.
Atje i priste 48-vjeçari grek, i cili dyshohet se i mori me automjet dhe i transportoi drejt një zone tjetër të Atikës, duke u mundësuar largimin nga vendi ku kishin lënë motorin.
Nga analiza e provave dhe ndërthurja e të dhënave të mbledhura gjatë hetimit, autoritetet identifikuan Eduart Qendrothanasin si drejtuesin e motorit të përdorur në atentat.
Ndërkohë, gjatë kontrolleve në banesa dhe ambiente të tjera, policia zbuloi motorin e përdorur në vrasje, i cili ishte fshehur me kujdes dhe çmontuar në pjesë të veçanta. Motori nuk u gjet i plotë, pasi mungonte edhe një pjesë e rëndësishme e tij.
Gjithashtu, u sekuestruan automjete, pjesë të së njëjtës motoçikletë, prova dixhitale dhe një helmetë e gjetur brenda një makine, e cila dyshohet se i përkiste drejtuesit të motorit të autorëve.
Sipas mediave greke, një element i rëndësishëm i hetimit ishte pikërisht rindërtimi i itinerarit të ndjekur nga autorët pas vrasjes, i cili i çoi hetuesit drejt dy personave të dyshuar. Megjithatë, identifikimi i tyre nuk do të thotë se është zbardhur plotësisht roli i çdo personi të përfshirë në sulm.
48-vjeçari grek u arrestua më 18 nëntor në Agrinio. Ai rezulton të ketë qenë i përfshirë më herët në çështje penale që lidhen me mbështetjen e veprimtarisë së një organizate kriminale, ndërsa ndaj tij ishin vendosur edhe masa kufizuese. Pas marrjes në pyetje dhe daljes para autoriteteve gjyqësore, ai u la në paraburgim.
Ndërsa shqiptari Eduart Qendrothanasi vijon të jetë në kërkim të autoriteteve greke.
Kush ishte 52-vjeçari i ekzekutuar në Glifadha?
Nikos Gavanozis, i njohur në qarqet e botës së krimit me nofkën “Papagalli”, ishte një emër i njohur për autoritetet policore greke. Ai kishte pasur precedentë penalë dhe ishte përfshirë në disa hetime që lidhen me aktivitetin kriminal në Athinë, veçanërisht me rrjetet e zhvatjes dhe të ashtuquajturën “mbrojtje” të lokaleve të natës.
Në vitin 2015, Gavanozis ishte arrestuar nga Departamenti i Zhvatjes, si pjesë e një prej tre grupeve kriminale që vepronin në Athinë dhe shantazhonin pronarët e bizneseve, duke u kërkuar shuma të ndryshme parash në këmbim të asaj që e paraqisnin si mbrojtje. Në atë operacion u arrestuan gjithsej 21 persona. Sipas hetimeve të asaj kohe, aktiviteti i grupeve dyshohej se mbështetej edhe nga punonjës të policisë.
Emri i tij ishte përmendur gjithashtu në disa incidente të dhunshme mes grupeve të tifozëve të organizuar të klubit “Panathinaikos”.
Në shtator të vitit 2021, jashtë një shoqate tifozësh të këtij klubi, në zonën e Aleksandras, ndodhi një sulm me armë zjarri, ku mbeti i plagosur një person. Disa ditë më vonë, Gavanozis u arrestua në lidhje me këtë ngjarje. Gjatë kontrolleve në banesën e tij u sekuestruan dy pistoleta, një shkop metalik, një thikë, një telefon celular dhe një automjet që dyshohej se ishte përdorur për të shkuar në vendin e sulmit.
Një tjetër episod i rëndë ku emri i tij u përmend ishte ai i prillit 2018, kur një tifoz i organizuar i “Panathinaikos” u qëllua me armë zjarri pak para ndeshjes kundër “Real Madrid” në Euroligë. I plagosuri u transportua në një spital privat, pasi kishte ndjerë një djegie në këmbë dhe kishte konstatuar se ishte qëlluar me armë.
Në korrik të vitit 2024, Gavanozis u arrestua sërish për përfshirjen e dyshuar në incidentet e dhunshme jashtë stadiumit “Alexandras”. Përplasjet mes tifozëve përfunduan me dy persona të plagosur nga armët e zjarrit dhe një tjetër të shtruar në spital pasi ishte dhunuar. Në këtë operacion policia shoqëroi 74 tifozë, të cilët më pas u dërguan para drejtësisë.
Vrasja e tij në Glifadha rikthen në vëmendje përplasjet dhe konfliktet e botës së krimit në Athinë, ndërsa identifikimi i shqiptarit Eduart Qendrothanasi si një prej personave të dyshuar e ka zgjeruar hetimin edhe përtej kufijve grekë./et
