Last Updated on 24/11/2026 by EL
Lorenc Vangjeli
Mbasdite në Tiranë. As e premte dhe as e shtunë. Skaji verior i ish-bllokut. Rruga që mban emrin e një formacioni partizan të Luftës së dytë Botërore, Brigada e VIII, zhvillohet zhurmshëm një nga episodet e luftës së përditshme me trafikun. Një ambulancë me sirenat buçitëse ecën me hap breshke topalle. “Brigada e VIII” është një kalimshe, ngushtuar sa për të kaluar një makinë e vetme. Trotuarët janë zgjeruar dhe kufizohen anash nga cilindra mermeri. Ajo përfundon në një gjysmë kryqëzimi që të nxjerr tek rruga lidhëse mes shkollës Edith Durham dhe urës së Lanës tek drejtoria e policisë. Një motor i madh imiton me bori sirenën e ambulancës. Makina para saj e ka të pamundur të hapë rrugën e ta lejojë të kalojë. Diku kjo gjë ndodh. Motoristi i zemëruar ndalon në krah të makinës.
-Pse nuk e hap rrugën?
– Se nuk kam si ta hap. Po ti pse i bie ashtu borisë?
-Se më do pip, pip, pip!
-Po ti qenka pip, pip, pip, more rrotë pip pipi!
-Kujt i thuaj pip, pip, pip, pip, o piiiiiiip?
Pastaj njëri zbriti nga makina dhe tjetri vuri në këmbalec motorin. Për pak çaste sherri reciprok tmerroi dynjanë me pip, pip, pip-e kërcënuese! Vetëm ndërhyrja e katër efektivëve të Shqiponjave, të gjendur fare rastësisht në zonë, shmangën atë që mund të quhej Masakra e Bllokut. Plumbat nuk mbajnë hatër. Dyluftuesit, por dhe klientët e shumtë të lokaleve përreth, i fali arma që fatmirësisht nuk e kishin në brez.
As shoferi i makinës dhe as drejtuesi i motorit nuk ishin agresorë. Ishin dy qytetarë normalë që stresi i trafikut mund t’i shndërronte në kriminelë. Të dy ata ishin viktima të një marrëzie estetike dhe vanitoze të shtruar me asfalt dhe një rruge të ngushtuar si fyt eremiti.
Rruga e rikonstruktuar duket vërtet bukur, por është absolutisht jo praktike. Për banorët zonës së ish-bllokut, për bizneset e përqëndruara aty, për makinat që do të detyrohen të përdorin rrugë të tjera alternative duke i mbingarkuar edhe më tej ato, e duke e bërë mbijetesën në trafik një mision të pamundur, rruga është mjet torture e përditshme. Ideatorët, kryeministri Rama dhe kryetari i bashkisë Veliaj janë në të drejtën e tyre të thonë se kështu bëhet edhe në Evropë. Pa marrë parasysh një ndryshim të frikshëm në koncept me Evropën e marrë si shembull. Qytetet evropiane janë njësi që nxiten të jenë në funksion e shërbim të individit. Tirana është një qytet, banorët e të cilit dhe cilësia e jetës së tyre, vihen në shërbim të qytetit dhe estetikës së tij. Duke e shndërruar atë në një kartolinë gjithmonë e më të hijshme për turistin që vjen për disa ditë si vizitor, por e bën një sprovë mbijetese jetën e përditshme të qytetarëve të Tiranës. Të cilët shohin sesi në çdo cep, në çdo skaj, edhe në copëza toke me madhësinë e një shamie hundësh, jepen leje ndërtimi që po e çojnë dendësinë e banorëve për kilometër katror në nivele të papërballueshme për rrjetin rrugor, atë të furnizimit me ujë të pijshëm apo me energji elektrike.
Rama, dikur kryetar i bashkisë së Tiranës kishte tentuar të bënte pedonale zonën e ish-bllokut. Në fillim të viteve 2000 kjo u bë vetëm në një segment rrugor në krah të shtëpisë së ish-diktatorit. Shtroi pllaka në nivelin e trotuarit dhe ndaloi me pengesa hekuri kalimin e makinave në atë segment. Ideja funksionoi për pak kohë, pastaj u braktis si jo praktike. Zemra e jetës sociale të kryeqytetit, bizneset bankarë, lokalet e shumtë dhe tortura e përditshme e banorëve në zonën më rezidenciale të atëhershme në Shqipëri dhe mbi të gjitha, mungesa e rrugëve të tjera alternative, e vunë në muze këtë ide. Që tashmë po bëhet realitet në të gjithë ish-bllokun. Një inisiativë e bashkisë së Tiranës dhe bekuar nga ish-kryetari i bashkisë, tashmë kryeministër, e bashkoi Tiranën me rrjetin botëror Walk21 duke i afruar zemrën e saj nevojës për të dekurajuar trafikun dhe për të nxitur ecjen në këmbë. Me shumë gjasa ky projekt mund të fitojë çmim të parë në ndonjë konkurs ndërkombëtar për qytetet miqësore me këmbësorët. Rama e Veliaj do ta prezantojnë çmimin si çertifikim të lidershipit të tyre estetik, vizionar dhe shpesh edhe të keqkuptuar. Fabula e fjalimeve të ardhshëm është perfekte: lagja ku jetonte diktatori komunist, e ndaluar atëherë edhe për këmbësorët, tani ju rikthye këmbësorëve. Të cilët do të gjejnë kështu – kjo natyrisht nuk do të thuhet – një arsye për të vrarë njëri-tjetrin duke plagosur ditë mbas dite nervat e tyre.
Nëse kritikët e të dyve, Ramës dhe Veliajt do të rithoshin se rikthimi në identitet i rrugës së Durrësit, çlirimi i saj nga dy korsi gjigante biçikletash në dy anët e saj, bërja sërish dykalimshme, është mundësia e vetme për të çliruar dukshëm trafikun që bllokon arteriet e tjera alternative dhe do t’u jepte oksigjen bizneseve të asfiksuara të zonës, ata natyrisht do t’i quanin armiq të oksidentalizmës. Por për një kapriçio të fatit, as njëri dhe as tjetri nuk do të kenë edhe për shumë kohë të shijojnë si këmbësorë shëtitjen në ish-bllok. Ramën nuk e lejon Garda e Republikës për arsye sigurie, Veliajn e ndalojnë gardianët e burgut të Fierit. Nuk do të kenë mundësi as të ecin me biçikletë në rrugën e Durrësit.
Në vitet e fundit të diktaturës, një funksionar komunist i kohës, vendosi ndriçues me shumë poça në dy anët e urës së Lanës, tek drejtoria e policisë. Premtimi i tij i famshëm “Do ta bëj Tiranën si Kajroja!”, sot është realitet. Rama, Veliaj e të tjerë si ata, ja kanë dalë ta bëjnë njëlloj trafikun e Tiranës me rrëmujën rrugore në atdheun e piramdave dhe faraonëve. Por edhe t’u japin qytetarëve të Tiranës një motiv më shumë për t’u vrarë në rrugë nga nervat!
