Last Updated on 24/11/2026 by Monika
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, ka njoftuar ndërprerjen e kontratës me klubin turk Sivasspor.
Përmes një deklarate të publikuar në një story në profilin e tij në Instagram, Manaj ka bërë të ditur se vendimi vjen pas një periudhe të gjatë pritjeje, gjatë së cilës, sipas tij, klubi nuk ka përmbushur detyrimet financiare dhe premtimet e dhëna.
Futbollisti shqiptar shprehet se iu bashkua Sivassporit me synimin për të ndihmuar skuadrën të rikthehej në Superligën turke, por kushtet e nevojshme për realizimin e këtij objektivi nuk u krijuan.
Manaj thekson se gjatë muajve të fundit i ka dhënë klubit disa mundësi për të zgjidhur situatën, madje në disa raste i ka vendosur zyrtarisht një afat prej 15 ditësh për përmbushjen e detyrimeve.
Megjithatë, sipas tij, pagesat nuk u kryen dhe premtimet nuk u mbajtën, duke e detyruar të merrte vendimin për ndërprerjen e kontratës.
Pavarësisht largimit, sulmuesi ka shprehur mirënjohje për tifozët, duke theksuar se mbështetja dhe dashuria e tyre do të mbeten gjithmonë të veçanta për të. Ai shton se Sivasspori do të ketë gjithmonë një vend në zemrën e tij./mxh
