Një video promocionale e Kendall Jenner për markën e njohur të kozmetikës L’Oréal Paris ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale. Modelja është vënë në shënjestër të kritikave, pasi përdoruesit pretendojnë se gjatë demonstrimit të një produkti bukurie nuk aplikoi realisht asgjë në fytyrën e saj.
Gjithçka nisi pas publikimit të një videoje në TikTok, më 1 nëntor, ku Kendall prezanton fondatinën Infallible Cushion, e cila kushton 19.99 dollarë. Në pamjet e realizuara në stilin ASMR, ajo shfaqet duke treguar produktin përpara kamerës dhe më pas duke prekur fytyrën me aplikuesin e tij.
Por pikërisht mënyra se si modelja demonstron përdorimin e produktit u bë objekt diskutimi. Shumë shikues vunë re se aplikuesi dukej bosh dhe ngritën dyshime nëse Kendall kishte vendosur realisht produkt në fytyrë apo thjesht po imitonte veprimin për qëllime reklamuese.
Debati u zhvendos edhe në Reddit, ku videoja u shpërnda gjerësisht dhe komentet ironike nuk munguan.
“Ajo as nuk po përpiqet ta fshehë më”, shkroi një përdorues, ndërsa një tjetër komentoi: “A e dinë ata që mund të shohim se nuk ka asgjë në atë aplikues?”.
Të tjerë e konsideruan të gjithë demonstrimin një performancë të sajuar, duke vënë në dukje edhe faktin se Kendall dukej se e kishte tashmë grimin e përfunduar.
Kendall Jenner është pjesë e imazhit ndërkombëtar të L’Oréal Paris që prej korrikut të vitit 2023. Megjithatë, kjo fushatë e fundit ka sjellë më shumë vëmendje për mënyrën e realizimit të reklamës sesa për vetë produktin./mxh
