Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, u shpreh i tronditur nga ndërhyrja e presidentit amerikan Donald Trump në kompaninë Nvidia për të rikthyer në detyrë drejtorin ekzekutiv Jensen Huang.
Kryediplomati gjerman tha gjatë një forumi në Berlin se ka dyshime nëse ky është modeli i duhur për qeverisjen.
“Sinqerisht, më tronditi; për sa më kujtohet mua personalisht, nuk kam parë kurrë më parë një ndërhyrje të tillë nga ana e politikës ndaj një kompanie të caktuar. Kam dyshime nëse ky është një model vërtet i mirë për të ardhmen. Në vendet e lira, demokratike dhe që funksionojnë mbi bazën e rregullave, pushteti politik duhet të përmbahet nga ndërhyrja në veprimtarinë ekonomike të kompanive.”
Kompania e çipave Nvidia riktheu Huang në detyrë më pak se dy javë pasi ai u largua, për shkak se iu zbuluan disa lidhje jashtëmartesore, njëra prej të cilave me një spiune të dyshuar kineze.
Presidenti Donald Trump deklaroi se ndërhyrja e tij ishte shumë e rëndësishme për rikthimin e Huang dhe shtoi se ai foli drejtpërdrejt me bordin dhe i siguroi se ky vendim nuk përbënte rrezik për sigurinë kombëtare./mxh
