Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, dhe bashkëshortja e tij, Carla Bruni, do të dalin në gjyq në Paris në vitin 2027, lidhur me tërheqjen e dëshmisë së Ziad Takieddine, personit që kishte akuzuar ish-kreun e shtetit për marrjen e parave nga regjimi i Muammar Gaddafit për financimin e fushatës së tij presidenciale, shkruan europatoday.it.
Sipas akuzës, pas vendimit të ndërmjetësit franko-libanez për të tërhequr publikisht akuzat ndaj Sarkozyt, dyshohet se qëndronte një marrëveshje për të ndihmuar në shfajësimin e ish-presidentit, ndoshta në këmbim të parave.
Në total, 11 persona janë dërguar për gjykim, në përputhje me kërkesën e Prokurorisë Kombëtare Financiare të Francës.
Mes tyre është edhe Michèle Marchand, e njohur si Mimi, një nga figurat më të njohura të shtypit rozë francez, e cilësuar si “papësha e paparacëve”.
Sipas kalendarit paraprak, procesi gjyqësor pritet të zhvillohet nga 3 nëntori deri më 2 dhjetor 2027.
Valixhet me para nga Tripoli dhe dëshmia televizive
Në vitin 2016, Ziad Takieddine deklaroi për median investigative Mediapart se kishte transportuar pesë milionë euro në valixhe, gjatë tre udhëtimeve nga Tripoli drejt Parisit, në fund të vitit 2006 dhe fillim të vitit 2007.
Sipas tij, paratë i ishin dorëzuar pjesërisht Nicolas Sarkozyt, në atë kohë ministër i Brendshëm, dhe pjesërisht shefit të kabinetit të tij, Claude Guéant. Të dy i mohuan akuzat.
Katër vite më vonë, në një intervistë për televizionin BFMTV dhe revistën Paris Match, Takieddine ndryshoi versionin e tij. Në nëntor 2020, ai deklaroi se Sarkozy nuk kishte marrë “asnjë cent” nga Gaddafi.
Megjithatë, kjo tërheqje e akuzave zgjati vetëm dy muaj, pasi ndërmjetësi u rikthye në deklaratat e mëparshme kundër ish-presidentit. Takieddine ndërroi jetë në Liban në shtator 2025.
Operacioni “Shpëto Sarkozy” dhe roli i Carla Brunit
“Shpëto Sarkozy” ishte emri që një prej të dyshuarve i kishte vendosur operacionit, gjatë bisedave me hetuesit.
Sipas gjyqtarëve që vendosën dërgimin e çështjes në gjyq, Sarkozy dhe Bruni dyshohet se kanë kontribuar në organizimin e intervistës së Takieddine, me synimin për të ndikuar te magjistratët që po shqyrtonin çështjen e financimeve libiane.
Michèle Marchand akuzohet se ka ndikuar te Takieddine për ta bindur të tërhiqte deklaratat e tij. Ndërsa për Carla Brunin, dyshimet lidhen me faktin se ajo, që në fund të vitit 2019, mund të ketë kërkuar një linjë telefonike të posaçme për të diskutuar çështjen me Marchand.
Procesi i vitit 2027 do të shqyrtojë pikërisht rrethanat dhe mënyrën se si u organizua tërheqja e dëshmisë.
Ndërkohë, lidhur me akuzat për financimin libian të fushatës së tij presidenciale, Sarkozy është dënuar në shkallën e parë me pesë vite burg, në shtator 2025. Ish-presidenti, i cili ka mohuar vazhdimisht akuzat, ka qëndruar 20 ditë në burg.
Vendimi i gjykatës së apelit për këtë çështje pritet të shpallet të hënën, më 30 nëntor./mxh
