Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka shprehur shqetësimin për operacionet e fundit ushtarake në pjesën lindore të Libisë, të cilat dyshohet se janë ndërmarrë nga Ukraina.
Ai theksoi se është e rëndësishme të shmanget përhapja e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës në rajonin e Mesdheut.
Gjatë një bisede telefonike me homologun ukrainas, Andrii Sybiha, Tajani nënvizoi se parandalimi i shtrirjes së luftës në Mesdhe përbën një çështje me rëndësi të veçantë për Italinë.
Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme italiane, kryediplomati i Romës i përcolli Sybihas mesazhin se Italia do të vazhdojë të angazhohet për të penguar përhapjen e konfliktit ruso-ukrainas përtej kufijve të tij aktualë.
Tajani gjithashtu vuri në dukje nevojën për të respektuar sovranitetin e Libisë dhe për të mbështetur përpjekjet që synojnë ruajtjen e stabilitetit dhe unitetit të vendit. Në këtë drejtim, ai rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për angazhimin e Kombeve të Bashkuara në procesin libian.
Gjatë bisedës, ministri italian siguroi homologun ukrainas se Roma do të vijojë përpjekjet diplomatike në mbështetje të Ukrainës, duke synuar gjithashtu arritjen e një paqeje të drejtë dhe afatgjatë./mxh
