Last Updated on 25/11/2026 by Anisa
Ndonëse kryetari i PD-së, Sali Berisha, u ka bërë thirrje partive të vogla për bashkim me synimin për të dalë me një kandidat të vetëm për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të 9 majit, deri më tani nuk ka nisur asnjë negociatë konkrete mes palëve.
Këtë e pohoi kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, në një intervistë për “MCN live”, duke i cilësuar thirrjet e deritanishme më shumë si debate televizive sesa bisedime reale.
Sipas tij, zgjidhja më e drejtë dhe më efikase për bashkimin e opozitës është rikthimi i sistemit zgjedhor me dy raunde.
“Me thënë të drejtën, deri tani nuk është se kemi ndonjë negociatë; këto janë më shumë debate televizive, oferta nga ekranet. Negociatë reale nuk ka deri tani, ose të paktën ne nuk jemi në dijeni.
Zgjidhja më e drejtë dhe më efikase për bashkimin e opozitës është rikthimi i sistemit zgjedhor me dy raunde (balotazh) për kryetarët e bashkive.
Ne kërkojmë që në Komisionin Zgjedhor të hapet rruga për zgjedhje me dy raunde.
Kjo është zgjidhja bazë juridike, që edhe nëse ka dy-tre kandidatë në raundin e parë, më pas kalohet në balotazh, ripërzihen kartat dhe krijohen mundësi të mëdha si për bashkim, ashtu edhe për fitore.
Kështu e bëri Kosova për Prishtinën, dhe kështu e kemi pasur edhe ne përpara se të deformoheshin ligjet në vitin 2008. Bashkimi nuk bëhet vetëm me deklarime televizive.”
Sa i përket formulës politike për gjetjen e një kandidati përbashkues, Shehi i qëndron propozomit që emri final të mos përcaktohet nga pazaret apo kalkulimet e kryetarëve të partive, por përmes sondazheve të mirëfillta.
“Të gjitha palët të fusin nga një emër dhe të bëhet një sondazh. Dy emrat më të kuotuar të futen sërish në një sondazh të dytë dhe prej andej del kandidati i përbashkët i opozitës.
Të tjerat janë kalkulime partish që krijojnë vetëm stërmundim të kotë.
Deri më sot e ka përcaktuar partia më e madhe, por ka ardhur dita që këtë personazh përbashkues ta zgjedhë sondazhi.
Nëse kandidatin e zgjedhin partitë, nuk kanë për t’u bashkuar kurrë.”/ad
