Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, ka folur sot në tryezën ekonomike të opozitës.
Bozdo ka komentuar situatën e ekonomisë shqiptare, duke hedhur fokusin te remitancat që hyjnë në vend, te paraja e krimit të organizuar, e lidhur drejtpërdrejt me rënien alarmante të euros, dhe te sektorët e turizmit e bujqësisë, që po njohin produktivitet të ulët.
Sipas Bozdos, sa i takon produktivitetit, Shqipëria mund të ketë pasur një rritje të lehtë ndër vite, por mbetet sërish vendi me shifrën më të ulët në rajon, me punëtorin e zakonshëm shqiptar që prodhon vetëm 7 dollarë në orë. Për bujqësinë, Bozdo u shpreh se është rrënuar me një ulje prej 52%, pasi problem mbetet zhvendosja e fuqisë punëtore jashtë vendit.
Sipas deputetit demokrat, Rama gënjen kur thotë se turizmi ndikon në rënien drastike të euros, pasi, sipas modeleve matematikore statistikore të opozitës, euro lidhet me narko-euron që qarkullon në vend prej kohësh dhe me ndërtimet pa kriter, vend e pavend.
“Kemi bërë 5 teste të ndryshme.
Produktiviteti, kursi i turizmit, kursi i euros, etj. Kemi bërë një analizë korrelacioni dhe një analizë regresi matematike për të kuptuar se sa lëviz euro në 1 miliardë euro.
Për të kuptuar se për çfarë jemi duke folur, shohim grafikët e rënies së euros, lejet e ndërtimit të matura në milionë/m² dhe ‘slide-i’ tjetër për ata që Rama i quan turistë.
Sa më shumë ndërtime ka, aq më shumë bie euro.
Ndërsa regresi e nxjerr koeficientin 1 në 1000 dhe ky është probabiliteti që kjo të jetë rastësi.
Analiza tjetër është e remitancave.
Banka Botërore, kur mat remitancat, mat çdo para që hyn dhe nuk i ndan dot paratë që hyjnë në vend, a janë legale apo ilegale. Jo vetëm që rënia e euros nuk ka lidhje me turizmin, jemi në matematikë këtu, kemi hequr petkun e politikanëve.
Prova është koha e COVID-it. Turizmi ra në atë kohë, por euro mbajti ato nivele që kishte.
Në vitin 2022, 7.5 milionë turistë ka pasur Shqipëria. Euro ka zbritur vetëm me 0.04%, edhe pse është shumëfishuar me gati 7 herë.
Investimet e huaja të gjithë i kanë dëgjuar, investime të huaja, investime të huaja direkte. Nuk janë asgjë veçse investime të rikthyera, pra riinvestime.
Nuk bëhet fjalë për euro të reja të hyra në ekonominë shqiptare, janë po ato para që qarkullojnë, të njëjtat para.
Shqipëria mund ta ketë rritur produktivitetin me të vërtetë, por mbetet vendi me produktivitetin më të ulët në rajon. Ky produktivitet i ulët nuk justifikon asnjë shifër.
1 e 3-ta vjen vetëm nga zhvendosja e brendshme e punonjësve nga një sektor në tjetrin.
Bujqësia ka rënë me 52%”, u shpreh Bozdo./Mxh
